Më shumë se dy muaj janë bërë qëkur kanë dhënë dorëheqje kryetarët e katër komunave në pjesën veriore të Mitrovicës, kurse afro dy muaj prejse Qeveria e Kosovës ka marrë vendim që t`i shpallë joligjore dhe antikushtetuese dorëheqjet e tyre.
Institucionet vazhdojnë të mos ndërmarrin veprime, qoftë për të nxjerrë vendim për shkuarje në zgjedhje të jashtëzakonshme e qoftë për të gjetur zgjidhje për funksionimin e atyre komunave, shkruan sot Koha Ditore.
Në anën tjetër, të dorëhequrit vazhdojnë të qëndrojnë pranë vendimit që e kanë marrë.
Delegatët nga komuniteti shqiptar në këto komuna thonë se ka stagnuar thuajse secili veprim organizativ dhe se kanë vështirësi në përmbushjen e programit të tyre.
Kryetari i Mitrovicës Veriore, Goran Rakiq, ai i Leposaviqit, Zoran Todiq, kryetari i Zubin-Potokut, Stevan Vuloviq, si dhe kryetari i Zveçanit, Vucina Jankoviq, deklaruan dorëheqjet me datën 27 nëntor të vitit të kaluar, si shenjë pakënaqësie ndaj taksës në shkallë 100 për qind që Qeveria e Kosovës ka vënë për produktet me origjinë nga Serbia, si dhe për arrestimet e serbëve të dyshuar për vrasjen e Oliver Ivanoviqit.