Gjykata Speciale ka në agjendë që këtë javë ta miratojë Rregulloren e Procedurës dhe Provave, peng i së cilës ka mbetur shpallja e aktakuzave të para. Publikimi i emrave të të akuzuarve druhet se do ta tensionojë situatën, për të cilën mungon një plan institucional menaxhimi.
Rregullorja trajton ushtrimin e procedurave para Dhomave të Specializuara. Vetëm pas miratimit të këtij dokumenti, do të jetë në dorën e Zyrës së Prokurorit të Specializuar për të ngritur aktakuza. Mbështetur në ligj, aktakuza duhet të konfirmohet prej një gjykatësi që do të vlerësojë nëse janë të bazuara dyshimet e ngritura ose jo, shkruan Koha Ditore.
Paralajmërimin për miratimin e këtij dokumenti gjatë këtij muaji e ka dhënë Avis Benes, zyrtare për informim e Dhomave të Specializuara. Ajo i pati thënë gazetës se kryetarja e Speciales ka caktuar seancën plenare që do të mbahet në mars. Gazeta ka adresuar të hënën pyetje përkitazi me ditën kur kjo seancë do t’i zhvillojë punimet, por përgjigjet kanë munguar.