Mbi 2 miliardë e 356 milionë euro është buxheti i shtetit që Qeveria ka planifikuar për vitin 2020. Rritja ekonomike për këtë vit parashihet të jetë në 2.4 në terma realë apo mbi 5 për qind në terma nominalë.
Mbështetur në projektbuxhetin që ka kaluar të martën në ekzekutiv dhe që është proceduar në Kuvend, të hyrat e përgjithshme buxhetore për vitin 2020 pritet të arrijnë vlerën prej 2 miliardë e 20 milionë eurosh apo 251 milionë euro më shumë sesa të hyrat e vitit të kaluar. Lartësia e shpenzimeve është paraparë të jetë 2 miliardë e 357 milionë euro, shkruan sot “Koha Ditore”.
Ministri i Financave dhe Transfereve, Besnik Bislimi, ka thënë se shpenzimet buxhetore për këtë vit do të jenë 12.7 për qind më shumë se buxheti i realizuar për vitin 2019.
“Do të vëreni që buxheti për paga dhe mëditje ka një rritje shumë modeste. Ne kemi paraparë rezervë të madhe për t`i akomoduar kërkesat që mund të dalin nga Ligji i pagave”, ka thënë Bislimi.
Sipas tij, mbi 300 milionë euro kanë mbetur obligime të papaguara.