Qeveria Haradinaj ka përjashtuar ekspertët britanikë nga procesi i emërimit të anëtarëve të Bordit të “Trepçës” dhe të Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP). Edhe pse të dy këto borde ishin pjesë e listës së memorandumit të dakorduar mes Kuvendit, Qeverisë dhe Ambasadës britanike, i cili ishte bërë për emërimin e njerëzve kredibilë në pozita të larta, Qeveria kishte kërkuar nga Ambasada britanike që të tërhiqet nga përzgjedhja e anëtarëve të Bordit të “Trepçës”, shkruan sot Koha Ditore.
Edhe procesi i përzgjedhjes së anëtarëve të Bordit të AKP-së është bërë nga Qeveria, pa pjesëmarrjen e Ambasadës, ka bërë të ditur Ambasada britanike në një përgjigje për gazetën.
“Edhe pse ishte në listën e dakorduar mes Kuvendit, Qeverisë dhe Ambasadës britanike, me kërkesë të Qeverisë së Kosovës, Ambasada britanike është tërhequr nga përzgjedhja e anëtarëve të Bordit të “Trepçës”. Edhe pozitat e anëtarëve të Bordit të AKP-së kanë qenë në listë, mirëpo propozimi për emërimin e tyre është bërë nga Qeveria e Kosovës pa përfshirjen tonë”, thuhet në përgjigjen e Ambasadës.
Kjo ambasadë kishte reaguar edhe lidhur me emërimin e sekretarit të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, duke thënë se ai nuk i ka plotësuar kriteret për këtë pozitë dhe se kësisoj është shkelur memorandumi i nënshkruar me Qeverinë.
Këtyre akuzave nuk u është përgjigjur Qeveria e Kosovës.