Qeveria e Kosovës sot ka lansuar platformën online për konsultime publike, si mjet kryesor për zbatimin e standardeve të aprovuara minimale në procesin e politik-bërjes.
Platforma online u vlerësua se është pikë e vetme e qasjes për të gjitha konsultimet publike të kryera nga organet publike mbi projektligjet, koncept dokumentet, dokumentet strategjike dhe aktet e tjera që i nënshtrohen konsultimeve publike, në përputhje me Rregulloren.
Kryeministri i Kosovës Isa Mustafa tha se lansimin i kësaj platforme i ka të gjitha qasjet për konsultime publike.
“Qëllimi i kësaj platforme është që t’i ndihmoj dikasteret qeveritare për konsultime publike. Përmes kësaj platforme do të sigurojmë një komunikim mes palëve dhe transparencë në konsultimet publike”, tha Mustafa.
Ndërsa shefja e BE-së në Kosovë, Natalya Apostolova, tha se qëllimi i konsultimit publik është që të sigurohet transparencë dhe llogaridhënie.
Ajo tha se përfshirja e qytetarëve dhe shoqërisë civile në politikbërje është fundamentale për një shoqëri.
Platforma u zhvillua me mbështetjen e projektit dy vjeçar të financuar nga BE-ja “Mbështetja e zbatimit të strategjisë së qeverisë për bashkëpunim me shoqërinë civile”, e cila synon të përmirësojë kapacitetin e Qeverisë së Kosovës në krijimin e bashkëpunimit efektiv me shoqërinë civile në përmbushjen e reformave ekonomike dhe sociale.
Kjo ngjarje do të ofrojë mundësi diskutimi mbi sfidat dhe mundësitë e zbatimit të standardeve minimale të procesit të konsultimit publik me aktorët kryesor të shoqërisë civile, organeve të qeverisë, komunitetit të donatorëve dhe medias.
Fjalimi i plotë i kryeministrit Isa Mustafa:
Mustafa falënderoi për kontributin e dhënë nga Bashkimi Evropian për lansimin e kësaj platforme, duke e vlerësuar si jetike në krijimin e një ndërlidhje funksionale ndërmjet dokumenteve që Qeveria i krijon dhe konsultave publike me palët e interesuara.
“Pas hyrjes në fuqi të Rregullores së Qeverisë së Republikës së Kosovës për Standardet Minimale për Procesin e Konsultimeve Publike nga data 1 janari i këtij viti, Zyra për Qeverisje të Mirë, bashkë me projektin e asistencës teknike të BE-së për “Mbështetje dhe zbatimin e strategjisë qeveritare për bashkëpunim me shoqërinë civile”, kanë dizajnuar këtë platformë për konsultime me publikun.
Platforma ka një pikë qasje për të gjitha konsultimet publike që duhet të kryhen nga institucionet publike, për projektligje, për koncept dokumente, pastaj për dokumente strategjike dhe për akte të tjera, që janë subjekt i konsultimeve publike sipas rregullores së Qeverisë”, tha kryeministri.
Duke theksuar bashkëpunimin e ngushtë me Fondacionin Kosovar për Shoqëri Civile dhe CiviKos-in në zbatim të këtyre standardeve, kryeministri Mustafa shprehu besimin se edhe zbatimi do të jetë përmbajtjesor dhe i suksesshëm.
“Qëllimi i kësaj platforme është që të ndihmojë ministritë dhe agjencitë qeveritare të Republikës së Kosovës për procesin e konsultimeve publike, me përfshirjen më të gjerë të autoriteteve publike dhe joqeveritare, organizatave të shoqërisë civile dhe të gjithë partnerëve relevantë që janë përgjegjës për bërjen e politikave vendimmarrëse. Përmes kësaj platforme, ne konsiderojmë që po ashtu të sigurojmë një proces të komunikimit ndërmjet organeve publike, palëve të interesuara dhe publikut, si dhe rritjen e transparencës dhe përgjegjësisë së organeve publike ndaj palëve dhe ndaj publikut”, tha kryeministri.
Ndërkaq, duke përmendur punën që po bëhet në ngritjen e kapaciteteve, kryeministri Mustafa tha se po punohet në zhvillimin e trajnimeve për zyrtarët dhe ministritë e linjës për zbatimin e standardeve minimale për konsultime publike.
“Uroj që bashkëpunimi ynë më i ngushtë në diskutimet lidhur me dokumentet, të cilat ne do t’i prezantojmë, të rezultojë me përafrimin e këtyre dokumenteve me interesin e qytetarëve tanë”, tha kryeministri.
Shefja e zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, njëherësh përfaqësuese e posaçme e BE-së, Nataliya Apostolova, tha se konsultimet me publikun janë vlerë themelore e Bashkimit Evropian, por edhe vlerë e qeverisjes së mirë, që ndihmon në bërjen e politikave më të mira dhe rrit besimin e qytetarëve në punën e institucioneve publike.
“Në kontekstin e përmbushjes së obligimeve nga Marrëveshja e Stabilizim Asociimit, konsultimet kuptimplota me publikun dhe pjesëmarrja e shoqërisë civile në bërjen e politikave, janë parakusht themelor për sigurimin e reformës efektive të administratës publike, por kanë po ashtu ndikim pozitiv edhe në qëndrueshmërinë e reformave në të gjitha fushat tjera”, ka thënë Apostolova.
Drejtoresha ekzekutive e Platformës CiviKos, Valdete Idrizi, tha se platforma online është e arritur edhe për vetë Civikos-in, që është angazhuar në avancimin e një mjedisi sa më të favorshëm në mes të shoqërisë civile dhe institucioneve të shtetit.
“Ne si CiviKos e kemi mirëprit lansimin e platformës dhe presim funksionalizimin e saj, sepse është bërë një punë jashtëzakonisht e madhe” tha Idrizi.
Ndërsa drejtoresha ekzekutive e KCSF-së, Venera Hajrullahu, përmendi vullnetin e vetë institucioneve për të hapur procesin e politikbërjes, por përmendi sfidat të cilat ende mbesin për t’u adresuar nga Qeveria.
“Bëhet fjalë për nevojën e rritjes së kapaciteteve për shërbyesit civil, për planifikim dhe analizë të politikave, për komunikim me publikun, kapacitetin në përgjithësi për inter-aksion ndër-sektorial”, theksoi Hajrullahu.
Me këtë gjë është pajtuar edhe udhëheqësi i ekipit të projektit të Asistencës Teknike të BE-së, “Mbështetje për Implementimin e Strategjisë Qeveritare për Bashkëpunim me Shoqërinë Civile”, Igor Vidacak, i cili ka sjell edhe përvojën që kishte Kroacia në këtë fushë.
“Pa pasur një raport të mirë me shkrim nga institucionet publike se përse disa nga komentet e dhëna nga kontribuuesit nuk janë përfshirë në dokument, nuk mund të presim që të rritet besimi i qytetarëve. Përvoja jonë tregon se kur ministritë publikuan raporte të mira pse komentet nuk janë përfshirë, është shtuar me mbi 4 mijë për qind pjesëmarrja në konsultime publike”, ka thënë Vidacak.
Prezantimin se si duket kjo platformë, si mund të regjistrohen përdoruesit dhe si të japin kontributin e tyre në politikat e reja, e ka bërë drejtori i Zyrës për Qeverisje të Mirë në Zyrën e Kryeministrit, Habit Hajredini. Sipas tij, në secilën ministri janë emëruar koordinatorët të cilët janë përgjegjës për të koordinuar tërë procesin brenda ministrive, për ndjekjen e procedurave dhe standardeve të parapara me rregullore.