Qeveria reagon për vendimin e BE-së: Pasaportat ilegale të serbëve, e shkelin sovranitetin e Kosovës

Prishtinë | 22 Kor 2024 | 13:40 | Nga Ekonomia Online

Qeveria e Kosovës ka reaguar zyrtarisht pas vendimit të Bashkimit Evropian me të cilin u liberalizuan vizat për serbët e Kosovës me pasaporta ilegale serbe.

Klinsman Kadiu, këshilltar i zv/kryeministrit Besnik Bislimi, ka thënë se me këto pasaporta, shkelet integriteti territorial dhe sovraniteti i Kosovës.

Klisman Kadiu, këshilltar i zëvendëskryeministri, Besnik Bislimi, për Telegrafin tha se janë të zhgënjyer me vendimin e marrë nga BE dhe se pasaporta e serbëve e lëshuar nga Serbia vazhdon të mbetet ilegale.

“Shprehim zhgënjimin tonё me vendimin e marrë nga Bashkimi Evropian në lidhje me “liberalizimin e vizave” për mbajtësit e pasaportave ilegale të lëshuara nga autoritetet serbe, për qytetarët serb të Kosovës. Cilido vendim i Bashkimit Evropian, nuk e zhbën faktin që ato pasaporta vijojnë të mbeten ilegale, në shkelje të plotë të integritetit territorial dhe sovranitetit të shtetit tonë, e rrjedhimisht të papranueshme për Republikën e Kosovës. Ato pasaporta, do të vazhdojnë të mos njihen nga autoritetet tona”, u shpreh ai.

Tutje, Kadiu tha se “secili qytetar i vendit, nga secili komunitet, ka të drejtën e plotë që të përfitojë nga lëvizja e lirë pa viza, përmes pasaportës së Republikës së Kosovës”.

“Andaj, justifikimi i përdorur se bartësit e këtyre pasaportave ilegale do të mbeten të izoluar, është i pasaktë dhe në shpërputhje me realitetin. Poashtu, e pashpjegueshme është dhe ngutia e shfaqur për marrjen e këtij vendimi, pa vërtetuar faktet në terren, pa analizuar implikimet qё munden dhe do tё pёrcjellin zbatimin e vendimit, dhe pa konsultuar që nga fillimi institucionet e shtetit tonë”, potencoi ai.

Liberalizimi për serbët e Kosovës

Heqja e regjimit të vizave për në zonën Schengen për kosovarët që nga 1 janari ka qenë shtysë e madhe që serbët e Kosovës të pajisen me pasaporta të Republikës së Kosovës. Tashmë me pasaportën RKS ata do të gëzonin udhëtim të lirë thuajse anekënd kontinentit evropian.

Por, hiç më larg se sot Këshilli Evropian mori vendimin përfundimtar për heqjen e regjimit të vizave për mbajtësit e pasaportave ‘speciale’ të serbëve të Kosovës që lëshohen nga e ashtuquajtura Drejtori Koordinuese përbrenda Ministrisë së Brendshme të Serbisë.

“Këshilli vendos heqjen e vizave për mbajtësit e pasaportave serbe të lëshuara nga Drejtoria Koordinuese Serbe. Sot, Këshilli miratoi një rregullore që siguron që i gjithë rajoni i Ballkanit Perëndimor t’i nënshtrohet të njëjtit regjim vizash, duke hequr përjashtimin e aplikuar më parë për mbajtësit e pasaportave serbe të lëshuara nga Drejtoria Koordinuese Serbe”, thuhet në Komunikatën e KE-së.

Në sfondin e shpjegimeve rreth vendimit të marrë sot KE shpjegoi se kjo u konkludua si nevojë “për të lejuar të gjithë qytetarët përbrenda Ballkanit Perëndimor të që mund të udhëtojnë pa-viza në zonën Schengen”.

Qeveria e Kosovës qysh me të nisur kjo iniciativë e heqjes së vizave për mbajtësit e pasaportave “speciale” serbe e kishte dhënë për goditje ndaj shtetësisë kosovare por edhe ndaj procesit të integrimit institucional të serbëve të Kosovës: gjë kjo e paraparë sidomos në Marrëveshjen e Parë të Parimeve për Normalizim të Marrrëdhënieve (2013).

“Ky propozim, nuk është diskutuar me Qeverinë e Republikës së Kosovës, e as konsultuar apo informuar mbi këtë”, pati reaguar Zëvendës Kryeministri i Parë për Integrime Evropian, Besnik Bislimi, njëherit edhe në krye të procesit negocitator në dialogun e fascilituar nga BE për normalizim të marrëdhënieve me Serbinë.

“Pasaportat ilegale të lëshuara nga Qendra Koordinuese e Serbisë, i konsideron komunat brenda Kosovës si pjesë të juridiksionit të Serbisë, shkelje kjo e sovranitetit tonë dhe e papranueshme. Njohja e këtyre dokumenteve, minon integrimin e komunitetit serb, duke dëmtuar përpjekjet tona në të cilat jemi angazhuar bashkarisht prej vitesh. Gjithashtu, propozimi shkel edhe frymën dhe marrëveshjet e dialogut për shuarjen e këtyre strukturave ilegale”.

Ish-krynegociatorja në dialogun Kosovë-Serbi, Edita Tahiri, në një përgjigje me shkrim për Nacionalen thotë se ”BE-ja ka shkelur marrëveshjen e Brukselit për lëvizje të lirë duke njohur dokementet e strukturave ilegale serbe qe veprojnë ende në këtë fushë”.

Të ngjashme