Qeveria e Kosovës ka gjashtë muaj që po i shpërfill gjetjet e Agjencisë Kundër Korrupsionit (AKK) për shkelje të Ligjit për ndërmarrje publike gjatë emërimit të 17 anëtarëve të bordeve në nëntë ndërmarrje publike qendrore.
Edhe pse ka pranuar formalisht konkluzionin e AKK-së, Qeveria ende nuk e ka parë të arsyeshme që t’i rishikojë këtë emërime apo të marrë vendim se si do të veprohet më tutje.
Shkelje të ligjit gjatë emërimit të anëtarëve dhe drejtorëve të bordeve ka pasur në ndërmarrjet publike si: Aeroporti i Gjakovës, Hekurudha e Kosovës (InfraKos), Hekurudha e Kosovës (TrainKos), kompania e ujësjellësit rajonal “Hidrodrini” në Pejë, Kompania Rajonale e Ujësjellësit Mitrovicë, kompania e ujësjellësit rajonal “Radoniqi” në Gjakovë, Korporata Energjetike e Kosovës, Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut (KOSTT), si dhe Posta e Telekomunikacioni i Kosovës.
AKK-ja në konkluzionin e saj dërguar Zyrës së Kryeministrit të Kosovës, përkatësisht sekretarit të përgjithshëm, Fitim Krasniqi, e ka njoftuar këtë institucion se komisionet vlerësuese kanë vepruar në kundërshtim me Ligjin për ndërmarrje publike./KD/