Qeveria duhet të jetë rigoroze në zbatimin e Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë të Evropës Qendrore (CEFTA) në mënyrë të mbrojë prodhuesit vendës nga ata ta rajonit.
Edhe pse Kosova ka marrë në janar zyrtarisht kryesimin e CEFTA-s, prodhimet kosovare më vështirësi po depërtojnë në tregjet e rajonit, prandaj edhe duhet të merren mas, i tha Ekonomia Online, njohësi çështjeve ekonomike, Naim Gashi.
Pjesë e marrëveshjes janë tetë vende të rajonit të Ballkanit: Kosova, Shqipëria, Maqedonia, Mali i Zi, Serbia, Bosnja dhe Hercegovina dhe Moldavia.
Kosova u bë anëtare fuqiplotë e CEFTA-s në korrik 2007. Marrëveshja për anëtarësim u nënshkrua nga UNMIK-u në emër të Kosovës. Edhe më tutje Kosova përfaqësohet në CEFTA përmes UNMIK-ut.
Sipas tij, ndonëse marrëveshja e CEFTA-s u bazua në konceptin e ekonomisë së tregut, pasi që shtetet anëtare mendonin se zhvillimi i mëtutjeshëm ekonomik mund të arrihet vetëm përmes promovimit të ekonomisë së tregut dhe konkurrencës së shëndoshë, kjo9 nuk po ndodh.
“Sa i përket masave për mbrojtjen e prodhimeve në Kosovë unë mendoj që vendet e rajonit, sidomos Maqedonia dhe Serbia janë duke luajtur shumë në raport jo fer me Kosovën dhe ata permanent bëjnë shkelje të rregullave të CEFTA-s, ndërsa pala kosovare asnjëherë nuk ka marrë masa të reciprocitetit”.
“Unë i inkurajoj autoritetet kosovare, qeverinë dhe MTI-në që të jenë shumë rigorozë për zbatimin e CEFTA-s dhe të mbrojnë kartën e reciprocitetit, për arsye se prodhuesit tonë shumë me vështirësi eksportojnë në Maqedoni dhe Serbi, për dallim prej atyre që shumë lehtë kanë qasje në tregun e Kosovës”.
Gashi ka adresuar kritika edhe ndaj shtetit shqiptar. Sipas tij, qeveria shqiptare ka më shumë fjalë sesa vepra lidhur me shkëmbimet tregtare midis dy shteteve.
“Mendoj që edhe Shqipëria, Qeveria shqiptare ka shumë më shumë fjalë sesa veprime konkrete, për arsye se masat të cilat i ka marrë Qeveria shqiptare nuk i lehtësojnë deri më tani shkëmbimet tregtare në dy vendet”.
“Përkundrazi, ne ende kemi maune me mallra të cilat presin në Vërmicë dhe me shumë vështirësi eksportohen në tregjet e Shqipërisë, e thonë publikisht edhe eksportuesit kosovar se shumë më lehtë eksportohet në Zvicër sesa në Shqipëri”.
Arsimi, shëndetësia dhe ndërmarrësia duhet të jenë prioritet i Qeverisë në aspektin e shpenzimit më të madh të mjeteve nga buxheti i Kosovës, thotë Gashi, raporton EO.
“Në këtë rast unë do të doja që prioritete kryesore të shpenzimeve në Kosovë të jetë arsimi, shëndetësia dhe ndërmarrësia, ndërmarrjet e vogla dhe të mesme”.
“Kosova ka nevoja shumë të mëdha në fushën e arsimit, për arsye se ne kemi një popullatë të re e cila kërkon kualifikime të cilat ndërlidhen me tregun e punës dhe njëkohësisht kemi nevojë për një fuqizim të ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme të cilat merren me shërbime online, shërbimet e teknologjisë së informacionit dhe shërbimet e përkthimeve”.
“…për arsye se mundësia për të shitur shërbime, për të eksportuar shërbime nga Kosova jashtë vendit është jashtëzakonisht e madhe duke marrë parasysh edhe popullatën e re të cilën e posedon Kosova”, tha Gashi për EO.