Projekti i kompanisë “Envidity”, të gjeneralit amerikan Wesley Clark, i cili synon ta marr çerekun e Kosovës për shfrytëzimin e qymyrit, është tërhequr nga procedimi i mëtutjeshëm në Kuvendin e Kosovës. Doli se Qeveria e Kosovës e kishte proceduar në Kuvend këtë projekt pa një studim të fizibilitetit dhe pa e hartuar paraprakisht Strategjinë kombëtare për shfrytëzimin e linjitit.
Për këtë punë ka vendosur t’i hap letrat vet Muhamet Mustafa, kryetar i Komisionit për Zhvillim Ekonomik në legjislaturën e fundit, shkruan Gazeta Fjala.
Ai, për Gazetën Fjala, ka thënë se në Komision nuk e kanë miratuar këtë projekt, por edhe atë të kompanisë “SharrCem”, pasi asnjëri nuk i plotësonin as kushtet bazë.
Komisioni doli me dy rekomandime kryesore.
Kërkoi nga Qeveria që ta bëj një studim fizibiliteti dhe të hartoj paraprakisht një Strategji kombëtare për mënyrën e shfrytëzimit të linjitit.
Pas kësaj, Qeveria u tërhoq krejtësisht. I largoi nga procedura të dyja projektet.
“Me këto rekomandime Qeveria e ka tërheq krejt nga procedura këtë projekt”, thotë Mustafa, i cili ka kritikuar punën e qeverisë së kaluar në këtë rast.
Mustafa: Donin të përfitonin grupe të caktuara të interesit
Madje Mustafa ka hedhur dyshime se nëse do të kalonin këto projekt pa u plotësuar këto kushte, do të ishte mundësi reale që të përfitonin grupe të caktuara të interesit.
“Qoftë nga politika, qoftë nga fusha e biznesit”, ka thënë shkurtë ai, pa u lëshuar se kush mund të kenë qenë këto grupe interesi.
“Ne mburremi që pasuria jonë më e madhe është thëngjilli, ndoshta jemi ndër 4 ose 5 vendet me të pasura me thëngjill, por ende nuk e kemi strategji për shfrytëzim të qymyrit”, thotë Mustafa.
Sipas Mustafës, përdorimi i qymyrit, në kushtet bashkëkohore, i ka limitet e veta mjedisore, financiare, por edhe teknologjike.
“Prandaj kemi kërkuar që të bëhet një studim i fizibilitetit për këto dy projekte që të shihet se ku janë mundësitë dhe limitet e përdorimi të limitit dhe me çfarë teknologjie”.
Mustafa ka sugjeruar edhe pasardhësit e tij që të mos lejojnë që të jepet çfarëdo licence, pa u plotësuar këto kushte.
Ministria e Financave nuk e di se ku ndodhet projekti
Nga ana tjetër, në Ministrinë e Financave që udhëhiqet nga Avdullah Hoti, ndonëse shtytësit kryesor për këto projekte, nuk e dinë se janë tërhequr nga procedura projektet e kompanisë “Envidity” dhe “SharrCem”.
Në një përgjigje të shkurtër për Gazetën, nga Zyra për informim në këtë ministri, kanë thënë se këto dy projekte ndodhen në Kuvend për aprovim final.
“Projektet “Envidity” dhe “Sharrcem” janë trajtuar sipas ligjit përkatës të Minierave dhe Mineraleve nga ana e Komitetit për PPP, pas të cilit proces janë dërguar për shqyrtim të mëtejshëm nga ana e Qeverisë. Me marrjen e aprovimit nga ana e Qeverisë, këto projektet janë dërguar në Kuvendin e Republikës së Kosovës për aprovim final. Për informata me të hollësishme luteni ti kërkoni nga Kuvendi i Kosovës”, thuhet në përgjigjet e kësaj ministrie.
Ndërkohë vetë kryetari i Komisionit për Zhvillim Ekonomik, Muhamet Mustafa, që i ka trajtuar këto projekte, ka konfirmuar se vet Qeveria i ka tërheq projektet nga procedura, pas vërejtjeve që ka marr nga ana e Komisionit.
Qeveria e kishte kaluar jashtëligjshëm projektin e Clark
Gazeta Fjala pati shkruar edhe më herët se Qeveria e Kosovës e kishte shmangur legjislacionin në fuqi për ta shtyrë përpara projektin për gazifikimin nëntokësor të qymyrit të Kosovës nga kompania e gjeneralit Wesley K. Clark.
“Enviditi”, siç edhe quhet edhe kompania e gjeneralit Clark, synon ta marr çerekun e Kosovës për shfrytëzim të qymyrit nga i cili do të prodhoj gaz e energji elektrike.
Gazeta Fjala ka siguruar raportin e Ministrisë se Financave, në të cilin janë dhënë vërejtjet e Komisionit për Miniera dhe Minerale, lidhur me shkeljet ligjore dhe hapat që duhet ndjekur deri në zbatimin e tij.
Në lidhje me projektin “Envidity”, KPMM-ja ka gjetur se shkelja më e madhe ligjore është tek sipërfaqja që kompania ka kërkuar ta këtë në dispozicion për eksploatim të qymyrit. Kjo ishte edhe arsyeja se pse kompania “Envidity” nuk ka marrë licencë që nga vitit 2013 kur edhe kishte aplikuar.
Me Ligjin për Miniera dhe Minerale, asnjë kompani nuk mund të mbajë licencë të hulumtimit më shumë se 300 kilometra për katrorë, derisa projekti i kompanisë “Envidity” i kishte shkuar Kuvendit me kërkesën për sipërfaqe mbi 3 mijë kilometra.
“Ligji për Miniera dhe Minerale, neni 21 pika 2.2 thekson që asnjë licencë e hulumtimit nuk mund të jetë më e madhe se 100 km, ndërsa pika 2.5 e po të njëjtit nen thekson se asnjë person kompani nuk mund të mbajë licencë të hulumtimit më shumë se 300 km, prandaj duke pasur parasysh që kërkesa e kompanisë Envidity kalon 3 000 mijë kilometra, KPMM-ja sugjeron që të kërkohet nga kompania modifikimi i kërkesave në përputhje me Ligjin për Miniera dhe Minerale”, thuhet në raportin e Ministrisë së Financave, një kopje të të cilit e ka siguruar Gazeta Fjala.
Por edhe pas kalimit të projektit në Kuvend, kompania Envidity sërish duhet të marrë licencë në KPMM, e cila licencat i lëshon në bazë të Ligjit për Miniera dhe Minerale.
Më tej, KPMM rekomandon që në rastin e miratimit të kërkesës, kompania të kushtëzohet që pas përfundimit të hulumtimeve të kufizojë kërkesën për shfrytëzim vetëm në sipërfaqen e cila ka rezervat e mjaftueshme për zhvillimin e projektit, ndërsa zona tjetër të lirohet për projekte me interes të Republikës se Kosovës.
Megjithëkëtë, KPMM në të njëjtin raport ka konstatuar se ky institucion do t’ia jap licencën kompanisë se Clarckut, nëse për këtë paraprakisht vendos Qeveria e Kosovës dhe Kuvendi. Në bazë të ligjit, kjo kompani duhet ta reduktoi sipërfaqen nga 3 000 në 300 km katrorë për tu pajisur me licencë.
Por, Qeveria procedoi në Kuvend pa i marr parasysh fare rekomandimet e KPMM-së.
Projekti rrezikon ujërat dhe tokën
Në raportin e Ministrisë së Financave tregohet po ashtu se nga projekti i kompanisë mund të ketë ndotje edhe të ujit dhe tokës.
Madje në të dyja këto raste bëhet e qartë edhe rreziku që mund të vije nga kjo ndotje.
Ndotja e ujit sipas këtij raporti nuk mund të mohohet, bile ajo mund të jetë evidente në çdo kohë.
“Natyrisht ndotja e ujërave nëntokësore dhe sipërfaqeve, nuk mohohet si mundësi, por faktet e publikuara tregojnë se nga 34 projekte pilote UCG te realizuara në Amerikën e Veriut, vetëm në dy prej tyre kanë rezultuar me ndotje te ujarëve të zeza”, thuhet në këtë raport.
Aty gjithashtu është treguar se edhe ndotja e tokës mund të behët me këtë projekt.
“Në përfundim, mund të thuhet se ndotja e mjedisit nga procesi i UCG, është i mundësohem, por nuk është konstant dhe niveli i saj në cilës e sa natyrore varet nga aftësia dhe profesionalizmi në implementimin e tij…”.
Ndërkaq, në raport thuhet se sa i përket implementimit, sipas këtij propozimi, Envidity do të implementojë projektin në dy faza. Në fazën e parë kompania synon të prodhojë 1,200 barel derivate për ditë, kurse në fazën e dytë synon të prodhojë 20 000 barel derivate për ditë”
“Operatori Envidity, në dokumentet e dorëzuara ka ndikuar se mund të këtë projekt i cili do të rezultojë me ndërtimin e kapaciteteve për prodhimtarinë e energjisë elektrike”.
Ndryshe, kompania “Envidity”, në projektin e prezantuar ka thënë se do të investojë si fillim 30 milionë euro, derisa më vonë investimet do të jenë varësisht prej fazave të projektit, si dhe do të punësojë qindra punëtorë.