Sindikata e Bashkuar për Arsim, Shkencë dhe Kulturë ka paralajmëruar grevë njëditore për datën 12 mars. Kjo pasi kërkesa e tyre për punëtorët e arsimit në vitet e 90-ta nuk po zbatohet. Qeveria ka kërkuar kohë nga SBASHK-u, duke premtuar se këto kërkesa do të zbatohen.
Madje, kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jashari dje në një prononcim për lajmi.net paralajmëroi edhe grevë të pacaktuar pas datës 12 prill, nëse Projektligji për punëtorët e arsimit në vitet e 90-ta nuk procedohet në Kuvend.
Por, Qeveria e Kosovës po kërkon kohë nga mësimdhënësit për zbatimin e kërkesave të tyre.
Donjeta Gashi zëdhënëse e qeverisë ka thënë për lajmi.net se kryeministri Haradinaj e ka marrë si obligim zbatimin e këtyre kërkesave.
Por që sipas saj duhet kohë, pasi duhet parë mundësitë buxhetore.
“Kryeministri ka zhvilluar disa takime me përfaqësuesit e SBASHK-ut, dhe janë dakorduar që kjo punë do të ketë zgjidhje por që kërkon kohë. Haradinaj ka thënë disa herë në paraqitjet e tija se është obligim moral, jo për shkak që ata majnë grevë dhe që po e shtyjnë kryeministrin. Por ai e ka marrë si obligim moral dhe do ta realizojë por që këtu ka procedura dhe kjo merr kohë”, ka thënë Gashi.
Zëdhënësja e qeverisë ka bërë të ditur se qeveria po i shikon mundësitë ligjore dhe buxhetore për t’i zbatuar këto kërkesa.
“E dimë që buxheti është alokuar për vitin 2018. Ne po i shikojmë të gjitha mundësitë dhe modalitetet ligjore edhe financiare që kjo të zgjidhet sa më shpejtë, dhe këtë kohë e ka kërkuar kryeministri nga SBASHK-u të cilët e kanë marrë mesazhin dhe janë të mirëpritur për çdo debat me qeverinë e Kosovës”, thotë Gashi.
Ajo zotohet se premtimet e kryeministrit do të realizohen.
Ndryshe SBASHK-u gjatë muajit shkurt ka organizuar dy greva, një orëshe dhe dyorëshe, para masave tjera sindikale që pritet t’i marrin gjatë javës tjetër.