Kriza e Coronavirusit ka zhytur industrinë e turizmit në mjerim. Shumë ndërmarrje hoteliere dhe ofrues të shërbimeve të udhëtimit kanë frikë për ekzistencën e tyre. Së këndejmi, nuk është çudi, që ata duan më në fund të dinë nga Këshilli Federal se si të veprojnë më tutje.
Presidentja Federale, Simonetta Sommaruga, ka bërë përpjekje së bashku me përfaqësuesit e turizmit se si të gjendet një zgjidhje për pushimet verore në Zvicër. Këshilli Federal tashmë është duke kërkuar të bëjë një hapje provuese të lokaleve të gastronomisë më 11 maj.
“Të hulumtojmë së bashku dhe të skicojmë se si mund të duken pushimet verore në Zvicër – pa rrezikuar mbrojtjen e shëndetit që është ende e nevojshme”. Kështu ka thënë të dielën kryetarja e Federatës së Zvicrës, Simonetta Sommaruga, në takimin ku ishin dhe dy ministra të tjerë, Guy Parmelin dhe Alain Berset, shkruan blick.ch.
Asgjë nuk është vendosur konkretisht, por Këshilli Federal i jep shpresë industrisë së turizmit, transmeton albinfo.ch. Sommaruga ishte optimiste, duke thënë për gazetën e përmendur se “në verë disa gjëra do të jenë shumë të mundura”.
Këshilli Federal po shqyrton pra mundësinë që qysh më 11 maj të bëhen lehtësimet e para në sektorin e hotelierisë. “Ne po shqyrtojmë me degët përkatëse se çfarë është e mundur të bëhet”, ka thënë ajo, duke menduar për një “hapje graduale” të skenës së gastronomisë.
Në këtë pikë është thelbësore që të mbrohen si mysafirët, ashtu dhe punonjësit. Prandaj, jo të gjitha kompanitë mund të punojnë me kapacitet të plotë. “Vetë gastronomia duhet të mendojë për ofertën që mund ta ofrojë dhe për atë që ajo ka llogari ta ofrojë”, ka theksuar Sommaruga. Vetëm atëherë Këshilli Federal do të vendosë.
Zhvillimi i situatës në këtë drejtim, midis 11 majit dhe 8 qershorit do të jetë vendimtar për një hapje të mëtejshme të gastronomisë. “Nëse gjërat shkojnë mirë, shumëçka do të jetë e mundur në sektorin e turizmit në këtë verë”, ka thënë Sommaruga.
Një javë më parë, ministri Parmelin kishte përmendur mundësinë e hapjes së lokaleve të gastronomisë pas “disa javësh”, pa dhënë ndonjë datë konkrete.