Familjarë dhe përfaqësues të shoqatave të personave të zhdukur presin që Qeveria e re ta ketë prioritet zbardhjen e fatit të personave të zhdukur. Zgjidhja e vetme, sipas tyre, është që kjo temë të diskutohet në Bruksel. Thonë se është për keqardhje që 20 vjet pas luftës nuk ka asnjë informatë për fatin e 1647 personave.
Anëtari i Kryesisë së Këshillit të Familjarëve të të Zhdukurve, Haki Kasumi, ka deklaruar se tash e dy dekada asnjë qeveri nuk e mori seriozisht fatin e personave të pagjetur, shkruan sot “Koha Ditore”.
“Kemi pritur e përcjellë qeveri të shumta të cilat na kanë premtuar se do ta kenë këtë çështje prioritet, por kjo nuk ka ndodhur. Na mban shpresa që Vetëvendosje, e cila nuk ka qenë asnjëherë në pushtet, do ta ketë prioritet këtë temë të dhimbshme. Ka kaluar kohë shumë gjatë, familjarët e kanë humbur durimin. Është plaga e vetme që ka mbetur e hapur që nga përfundimi i luftës”, ka theksuar ai.
Kasumi ka kërkuar që kjo temë të diskutohet në Bruksel por, sipas tij, pa ndihmën e faktorit ndërkombëtar një gjë e tillë është vështirë e realizueshme. Sipas tij, nuk ka asnjë arsye të neglizhohet kjo temë derisa është e drejtë legjitime e një qeverie të sigurojë informacion zyrtar për fatin dhe statusin e qytetarëve të zhdukur nga lufta e fundit.