Qirezi pas largimit të Kosovës nga ENQA: Partitë politike duhet të heqin dorë nga politizimi i institucioneve arsimore

Prishtinë | 03 Tet 2019 | 13:43 | Nga Ekonomia Online

Rektroja e Kolegjit Riinvest, Bardha Qirezi, ka reaguar menjëherë pas largimit të Kosovës nga ENQA, duke thënë se të gjitha partitë politike duhet të heqin dorë nga politizimi i institucioneve arsimore dhe nga krijimi i elitave partiake përmes punësimit dhe promovimit nepotist.

Tutje Qierzi përmes një komunikate është shprehur se institucionet arsimore duhet të jenë llogaridhënëse ndaj publikut dhe anëtarëve të vet për të siguruar realizimin e misionit të tyre.

Komunikata e plotë:

Lidhur me përjashtimin e AKA-së nga ENQA, konsiderojmë që Arsimi i Lartë në Kosovë ka nevojë për një përkushtim të të gjithë akterëve. Përderisa dihet që reformat mund të zgjasin shumë vite, ndryshimet në ligje, organizim dhe procedura nuk përkthehen automatikisht në ndryshime të traditave dhe kulturës akademike. Për momentin ekziston një klimë dhe kulturë e pavolitshme politike e cila ka prodhuar një mos përputhje të deklarimeve politike dhe praktikave akademike.

Të gjitha partitë politike duhet të heqin dorë nga politizimi i institucioneve arsimore dhe nga krijimi i elitave partiake përmes punësimit dhe promovimit nepotist, i cili shpien drejtpërdrejt në devalvimin e procesit mësimor dhe zhvillimit të shkencës. Proceset e Sigurimit të Cilësisë nuk duhet të jenë sipërfaqësore, por profesionale dhe të paanshme. Institucionet arsimore duhet të jenë llogaridhënëse ndaj publikut dhe anëtarëve të vet për të siguruar realizimin e misionit të tyre.

Riinvest është i përkushtuar për të ngritur cilësinë në arsimin e lartë. Për këtë qëllim ne ju kemi nënshtruar vazhdimisht validimeve shtesë nga universitet prestigjioze në Mbretërinë e Bashkuar duke ofruar diploma të cilat njihen ndërkombëtarisht. Edhe pse kjo qasje ka qenë më e vështirë dhe më e kushtueshme, kjo përvojë ka siguruar që standardet e cilësisë të brendësohen duke ekspozuar studentët dhe mësimdhënësit ndaj vlerësimeve të jashtme prej vitit 2009. 

Prandaj sigurojmë studentët e Riinvest, që të kenë besim në vlerën që marrin duke studiuar në Riinvest dhe se diplomat e tyre gëzojnë reputacion vendor dhe ndërkombëtar për shkak të përkushtimit të Riinvest për të aplikuar standarde ndërkombëtare. Po ashtu, sigurojmë bizneset që përkrahin Kolegjin Riinvest se investimet e tyre zhvillojnë një fuqi punëtore më të kualifikuar në fushën e ekonomiksit, menaxhmentit, shkencave kompjuterike, shkencave të të dhënave dhe të politikës.

Në lidhje me vendimin e ENQA-s  Riinvest apelon si në vijim:

  1. Të arrihet një konsensus politik për të qartësuar dhe fuqizuar rolin dhe aktivitetin e Agjencionit të Akreditimit në Ligjin për Arsimin e Lartë apo në një ligj të veçantë apo edhe me udhëzim administrativ duke siguruar pavarësinë e AKA-së dhe aplikimin e standardeve të njëjta për të gjitha IAL.
  2. Të rishikohet mënyra e përzgjedhjes së Këshillit Shtetëror të Cilësisë për të siguruar që ka ekspert të sigurimit të cilësisë duke vendosur disa kritere shtesë për emërimin e tyre për të siguruar integritet të plotë dhe pavarësi nga IAL dhe politika.
  3. Të rishikohet roli i zyrtarëve në Agjencionin e Akreditimit duke përfshirë edhe Drejtorin dhe zyrtarët tjerë për të siguruar ekspertizë në fushën e sigurimit të cilësisë, profesionalizëm, etikë në punë, komunikim, konsultim efektiv dhe formal. 
  4. Të punësohet drejtori i AKA-së me një proces të paanshëm dhe profesional. 
  5. Të bëhen studime tematike nga AKA me qëllim të promovimit të praktikave të mira të institucioneve të arsimit të lartë.
  6. Të krijohet një trupë këshillëdhënëse e cila e ndihmon Agjencinë e Akreditimit për të plotësuar kushtet dhe të aplikojë përsëri pas dy viteve në ENQA. 
Fjalë Kryesore:

Të ngjashme