Në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare 11, nga sot do të ofrohet kujdes shtesë për pacientët me sëmundje kronike, ku do të punohet shtatë ditë të javës, raporton Ekonomia Online.
Me këtë rast, kreu i Prishtinës, Përparim Rama i shoqëruar nga drejtori i Shëndetësisë në Prishtinë, Izet Sadiku, kanë vizituar këtë qendër, ku panë nga afër kujdesin që u ofrohet qytetarëve të Prishtinës, gjegjësisht pacientëve me sëmundje kronike.
Rama ka vizituar të gjitha hapësirat e kësaj qendre ku është njoftuar nga afër për punën që bëjnë punëtorët shëndetësorë për trajtimin e pacientëve.
Doktoresha Sebahate Kelmendi ka treguar për punën e ndërrimeve dhe orarin në ekipe të QKMF-së.
Madje ajo ka treguar edhe numrat e kontaktit të shërbimit kronik të cilët mund t’i telefonojnë qytetarët për të marrur shërbime.
“Momentalisht kemi 4 ekipe. 2 ekipe janë pjesë e stafit të përhershëm dhe 2 mjek janë me kontratë mbi vepër. Orari i punës së para ditës fillon prej orës 7:00 deri në 13:00, ndërsa orari i pas ditës prej orës 13:00 deri në ora 19:00”, tha ajo.
Kelmendi shtojë se të shtunën do të fillojë kujdestaria 12 orëshe e ndarë në dy ekipe.
“Qendra e shërbimit kronik i posedon dy numra të telefonit, njëri është pa pagesë prej operatorit Vala, 0800-999-99, dhe tjetri është 038-551-559”, tha Kelmendi.
Drejtori i QKMF-së, Bujar Gashi tha se në kjo qendër ka filluar të bëjë vizitë në shtëpitë e pacientëve të cilët do ta kontaktojnë QKMF-në.
“Po besojmë që me dy ekipet t’i mbulojmë të gjitha thirrjet”, tha Gashi.
Kryetari i Prishtinës Përparim Rama u zotua për përkrahje të kësaj qendre në vazhdimësi.
“Nëse keni nevoja të tjera qysh na mundemi me ju ndihmu, për me i’u ndihmu ju qytetarëve, atëherë na keni përmbrapa me çdo nevojë, vetëm na tregoni na lajmëroni. Është kënaqësi me ndëgju që kemi një shërbim të mirëfilltë për të gjithë qytetarët e Prishtinës”, tha Rama.

