Dy ditë pas mbajtjes së grevës në institucionet shëndetësore, Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare (QKMF) në Prishtinë të hënën ka vazhduar punën duke ofruar shërbime shëndetësore për pacientë, raporton Ekonomia Online.
Asnjë pacient nuk ishte kthyer prapa, të gjithë kishin marrë shërbimet e nevojshme. Një nga ta është edhe Faik Krasniqi.
“Këtu e mora insulinën, e mora vaksinën e gripit për vete”.
Ai tha se nëse punëtorët shëndetësorë hyjnë përsëri në grevë, do të jetë e dëmshme për ta si pacient.
“Jo për mua por për gjithkë nuk është e mirë. Populli nuk kanë faj”, u shpreh Krasniqi.
Shërbime mjekësore mori edhe Bajram Buzuku, sipas të cilit, edhe nëse stafi mjekësor janë në grevë për pacientë duhet të punojnë.
“Po e mbajnë grevën, por për popull duhet të punojnë”.
Ramize Fazliu, thotë se tash që greva është ndërprerë, nuk ka pasur problem të marrë shërbimet mjekësore
“Edhe shpejt i kemi marrë. Në spital kam pas te i eshtrave edhe këtu mora vaksinën”.
Sipas saj, nëse punëtorët shëndetësore vazhdojnë me greva, ata që pësojnë më së shumti janë vetë pacientët.
“Kështu me qenë urgjent, është e dëmshme”, tha ajo.
Sherif Makolli, kryetar i sindikatës së QKMF-së, Prishtinë, tha përmes telefonit për Ekonomia Online se greva është mbajtur të premten deri në orën 15:00.
Ai tha se QKMF-ja, është duke punuar dhe presin vendimet e Këshillit Drejtues të tri sindikatave për veprimet e mëtutjeshme.
“Momentalisht është duke u punuar në QKMF. Tani presim vendimet e Këshillit Drejtues se çfarë do të ndodhë”, tha ai për EO.
Greva e përgjithshme brenda institucioneve shëndetësore të vendit në të tri nivelet kishtefilluar me moton “Presim pagat me ligjin e ri”.
Ditë më parë, Gjykata ka pezulluar Ligjin për Paga në Sektorin Privat deri më 30 mars të vitit 2020.
Kjo ka sjell pakënaqësi të shumta te Sindikata e shëndetësisë, arsimit dhe policisë, të cilët kanë paralajmëruar greva të mëtutjeshme.
LEXONI EDHE: