Për të shmangur rrezikun e përhapjes me Coronavirus, në Qendrën Kryesorë të Mjekësisë Familjare (QKMF) në Prishtinë, të gjithë pacientët që duan të marrin shërbime, fillimisht duhet të presin në radhë e të tregojnë nëse kanë apo jo simtpomet e virusit.
Ilire Bunjaku, specialiste e Mjekësisë Familjare në QKMF, thotë për Ekonomia Online se janë duke ofruar shumicën e shërbimeve, por nuk ka fluks të madh të pacientëve.
Sipas saj, qytetarët janë vetëdijësuar dhe po respekton masat e ndërmarra nga Qeveria e Kosovës dhe Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike (IKShP).
“Për momentin ofrohen shumica e shërbimeve. Deri, tash janë të menaxhueshme, për arsye se nuk kemi ashtu fluks të shtuar. Popullata është vetëdijësuar si duket është duke respektuar deri diku edhe vetizolimin”.
“Tash kemi filluar edhe triazhimin, triazhimi bëhet prej hyrjes, për arsye të pandemisë merren të dhënat simptomatologjia e cila është prezente, udhëtimet apo kontaktet jashtë vendit apo me persona të cilët kanë udhëtuar prej vendeve të ndryshme dhe për momentin ata pacienta të cilët vijnë triazhohen, nëse kanë një simptomatologji normale pa një evidencë epidemiologjike, atëherë trajtohen nëpër qendrat e mjekësisë familjar”, tregoi ajo.
Bunjaku thotë të gjitha rastet të cilat dyshohet se janë të infektuar, trajtohen në tendën e cila është e vendosur në oborrin e QKMF-së.
“Mirëpo, 24 orë e kemi edhe tendën para QKMF-së. Të gjitha rastet e dyshimta të cilat dyshohen prej qendrave që kontrollohen apo kanë dyshime tjera, ata trajtohen në tendë. Kemi edhe shërbimin përmes telefonit ku jepen edhe këshillat për cfarëdo problemi që kanë qytetarët e Prishtinës”, tha Bunjaku.
Sipas saj, disa nga rastet janë referuar të trajtohen në vetizolim.
“Ka pasur raste, miëpo ato raste që kanë pasur një sipptomatologji të lehtë, ato janë këshilluar të trajtohen në vetëizolim nëpër shtëpi. Disa që kanë qenë pak me një simptomatologji më të rëndë, ata referohen për në Qendrën Klinike Infektive”, tregoi ajo.
Bunjaku tregon se me çfarë simptomash paraqiten këto ditë pacientët. Sipas, në QKMF kanë masa të mjaftueshme mbrojtëse.
“Ankesat e tyre zakonisht janë temperatura, kollitja, kokëdhimbje, kohëve të fundit kanë edhe vjellje, ka simptomatologji të ndryshme, ka me hipertension me sëmundje të zemrës. Për momentin kemi masa mbrojtëse të mjaftueshme, për më tutje të shohim”, tregoi ajo.
Bunjaku ndër të tjera tregoi se janë duke menaxhuar situatën edhe në pikën kufitare në Mutivodë 24 orë. Momentalisht Bunjaku thotë se nuk kanë informacione për ndonjë rast të dyshimtë në këtë pikë kufitare.
“Menaxhimi deri tash është në rregull, nuk ka ndonjë problematik. Fluksi i pacientëve kohëve të fundit aty është zvogëluar nuk ka aq fluks të madh, por praprë se prapë është 24 nën menaxhim. Është mjeku edhe motra medicinale. Për momentin nuk kemi informacion që ka pasur raste të dyshimta, mirëpo edhe prej atje rastet e dyshimta prap referohen varësisht prej simptomatologjisë qoftë në vetëizolim apo në Qendrën Infektive”, tha Bunjaku.
Bunjaku apeloi ndaj qytetarëve, që të kenë kujdes të shtuar, mirëpo të mos bëhet panik.