QKRMT kërkonë ndërmarrjen e masave për lirimin e parakohshëm të të burgosurve gjatë Pandemisë Coronavirusit

Prishtinë | 09 Pri 2020 | 13:05 | Nga Ekonomia Online

Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT) ka mirëpritur të gjitha masat e ndërmarra deri më tani nga Shërbimi Korrektues i Kosovës (SHKK) për parandalimin e përhapjes së Covid-19. Megjithatë, për shkak të ndjeshmërisë në këto institucione këto masa nuk janë të mjaftueshme për zbutjen e situatës, respektivisht parandalimin e përhapjes së pandemisë apo ndonjë pakënaqësie që mund të rezultojë me ndonjë pasojë më të rëndë nga radhët e të dënuarve apo stafit korrektues.

Shumica e shteteve qoftë në rajon, Evropë apo edhe më gjerë kanë shfrytëzuar mundësitë ligjore ekzistuese, apo kanë vepruar përmes akteve të reja/ndryshimeve në legjislacionin përkatës duke adresuar këtë nevojë, ashtu që numër i madh i të dënuarve kanë përfituar nga lirimi nga dënimit, pezullimi i dënimit, falja, amnistia etj.

Duke ditur se legjislacioni aktual që rregullon këtë kornizë në Kosovë nuk ofron ndonjë mundësi për veprime të tilla, si zgjidhje e vetme mbetet mundësia që përmes ndonjë nisme për ndryshime ligjore të Ligjit për Ekzekutimin e Sanksioneve Penale (LESP) apo me akt të veçantë (Ligj për Amnisti etj.) të adresohet kjo çështje në mënyrë që një numër i të dënuarve të mund të përfitojnë dhe kështu të adresohet kjo problematikë edhe në institucionet korrektuese në Kosovë në kushtet e pandemisë.

QKRMT i është drejtuar Këshillit Gjyqësor dhe Gjykatave Themelore për ndërmarrjen e masave si në vijim:

QKRMT ka kërkuar nga sistemi gjyqësor në Kosovë që duke shfrytëzuar dispozitat ligjore të Kodit të Procedurës Penale të Kosovës (KPPK) të aplikojë në numër të konsiderueshëm masat alternative që i parasheh KPPK-ja për të shmangur masën e paraburgimit e cila zbatohet në masë të gjerë në procedurat gjyqësore penale; Paneli për Lirim me Kusht që funksionon në kuadër të KGJK-së i cili në vazhdimësi trajton kërkesat për lirim me kusht mund të shfrytëzoj këtë të drejtë në atë mënyrë që të gjitha rekomandimet pozitive për kërkesat e të dënuarve për lirim me kusht t’i pranojë dhe të lirojë me kusht të dënuar në një shkallë më të gjerë se sa deri më tani; Sistemi gjyqësor në Kosovë të administrojë në mënyrë më efikase kërkesat për lirim të parakohshëm, ashtu që në bashkëpunim me ShKK të sigurohet dorëzimi dhe trajtimi me kohë i kërkesave dhe të sigurohet që secili rast është trajtuar (dhe mundësisht liruar) të paktën 3 muaj para lirimit përfundimtar.

Po ashtu, QKRMT i është drejtuar Ministrisë së Drejtësisë duke propozuar inicimin e ndryshimeve ligjore në procedurë të përshpejtuar në mënyrë që të mundësohet lirimi i përkohshëm apo amnistia për të dënuarit në kohën e pandemisë.

Propozimet e QKRMT-së për Ministrinë e Drejtësisë dhe Shërbimin Korrektues për nismat ligjore, në procedurë të përshpejtuar për:

1) Plotësimin e Ligjit për Ekzekutimin e Sankisoneve Penale (LESP)

Plotësimi i LESP më një dispozitë të veçantë, e cila ia mundëson Ministrisë së Drejtësisë marrjen e Vendimit për lirimin e PËRKOHSHËM të të dënuarve në rastet e jashtëzakonshme dhe ne rastet e epidemive/pandemive dhe sëmundjeve ngjitëse.

– Pas plotësimit të LESP-it, Ministria e Drejtësisë të nxjerrë aktin nënligjor për procedurën dhe kriteret e lirimit të përkohshëm.

– Kriteret për lirimin e përkohshëm mund të vendosen sikurse në Republikën e Shqipërisë dhe në shtetet e tjera të Evropës.

ose,

2) Miratimin e Ligjit për Amnistinë

Ligji për Amnisti të parasheh lirimin e të dënuarve që iu kanë mbetur 2 vite e më pak të dënimit me burg. Konsideratë të veçantë duhet t’iu kushtohet të dënuarve me sëmundje të rënda, të moshuarve, grave e të miturve dhe ndonjë kategorie të ndieshme të të dënuarve.

Përjashtim nga amnistia të bëhet për të dënuarit për vepra të rënda, siç janë: vrasja e rëndë, dhunimet, krimet e luftes, krimet kundër njerëzimit etj.

– Kriteret për përfshirje në Amnisti në kohën e pandemisë Covid-19, të përcaktohen sikurse në Ligjet e shteteve Evropiane.

Propozimet e QKRMT-së për sistemin gjyqësor dhe Ministrinë e Drejtësisë, janë bërë në harmoni me Parimet themelore të Komitetit Evropian për Parandalimin e Torturës, Trajtimit dhe Dënimeve Çnjerëzore e Degraduese (KPT), për trajtimin e personave të privuar nga liria në kushtet e pandemisë COVID-19 të publikuara më 20 mars 2020.

Të ngjashme