Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS) ka publikuar raportin “Tendencat për rrënimin e multietnicitetit: Largimet masive të pjesëtarëve serbë të Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe Roli i Serbisë”, qëllimi i të cilit është të analizojë përmbledhjen e rrjedhës së ngjarjeve që shpien deri te largimi i pjesëtarëve serbë nga FSK-ja.
Sipas Plator Avdiut nga QKSS-ja, janë shuar shpresat që transformimi i FSK-së në ushtri të bëhet përmes ndryshimeve kushtetuese, raporton Ekonomia Online.
“Duhet të themi se me njëfarë mënyre janë shuar të gjitha shpresat që në Kosovë transformimi I FSK-së të bëhet përmes ndryshimeve kushtetuese. Si duket ky plan A pothuajse vetëm se ka vdekur, duke marrë parasysh se është hera e dytë, pas iniciativës së herës së kaluar, dhe kjo është iniciativa e dytë ku përmes ndryshimeve ligjore tentohet të krijohet ushtria e Kosovës, ose të bëhet tranzicioni i FSK-së në ushtri”.
Avdiu theksoi se kushtetuta nuk e ndalon që Kosova të ketë ushtri, por, sipas tij, ligji aktual i vendos disa kufizime në armatim. Ai përmendi faktin se Serbia ka ndikuar që një numër i madh i pjesëtarëve serbë të FSK-së të largohen, duke i shantazhuar e duke u bërë presion atyre, raporton EO.
“Është plani B I cili i mundëson Kosovës të bëjë tranzicionin e FSK-së në ushtri, për shkak se Kushtetuta nuk e ndalon. Kushtetuta e ka një nen që thotë se në përgjithësi ndryshimet kushtetuese duhet të bëhen përmes 2/3-ave, duke i marrë parasysh edhe 2/3 e ulëseve të komuniteteve pakicë, mirëpo nuk thotë që për ushtri duhet patjetër të bëhet, ose tekefundit kushtetuta nuk e ndalon që Kosova të ketë ushtri, mirëpo është ligjit aktual që i vendos disa kufizime në armatim”.
“Dihet që një prej kundërshtarëve të kësaj është Serbia, e cila përmes eksponentëve të saj ka shantazhu, ka bërë presion dhe ka ndiku që një numër shumë i madh i tyre të largohen, pikërisht muajve të fundit nga FSK-ja duke i shantazhuar në mënyrë të drejtpërdrejtë”, sqaroi Avdiu.
Ndërkaq Shpat Balaj, gjatë prezantimit të të gjeturave të raportit në fjalë, tregoi se në fillim të vitit 2017 FSK-ja kishte 130 pjesëtarë të komunitetit serb, ndërkaq gjatë vitit 2018, 60 prej tyre kanë dhënë dorëheqje nga ky institucion, si pasojë e sulmeve dhe shantazhimeve nga Serbia, raporton EO.
“Në fillim të vitit 2017 FSK-ja numëronte gjithsej 130 pjesëtarë të komunitetit serbë, të cilët shënojnë numrin ma të madh të komuniteteve në këtë institucion, përkatësisht 55% prej tyre”.
“Integrimi i komunitetit serb është konsideru si njëra prej sfidave më të mëdhaja të FSK-së dhe me intensifikimin e dialogut Kosovë-Serbi, me hapjen e debatit për transformimin e FSK-së dhe me përafrimin e datës për arritjen e të ashtuquajturës marrëveshje përfundimtare mes Kosovës dhe Serbisë, shteti i Serbisë ka fillu një fushatë për me parandalu këtë proces dhe për me dëmtu FSK-në”.
Më tutje, Balaj përmend raste konkrete të shantazhimit dhe të sulmimit të këtyre pjesëtarëve serbë të FSK-së.
“Kjo fushatë është një operacion mirë i përgatitur psikologjik-ushtarak, i cili ka në krye liderët kryesorë të Serbisë, dhe si pjesë e kësaj fushate, në fillim të vitit 2017 shtëpitë e dy pjesëtarëve të FSK-së janë sulmuar me mjete eksplozive”.
“Në po të njëjtin vit, pjesëtarë serbë të FSK-së kanë pranuar mesazhe kërcënuese të nënshkruara nën emrin e një grupi që quhet “Armata e veriut”.
“Zyrtarë të Serbisë kanë deklaruar që të gjithë ata që janë pjesë e FSK-së duhet të dënohen nga shteti i Serbisë për pjesëmarrje në formacione të huaja të armatosura dhe menjëherë pas këtyre deklaratave daljet e këtyre pjesëtarëve në kufi me Serbinë për t’u marrë në pyetje rreth aktivitetit të tyre në FSK”.
“Presionet dhe sulmet e vazhdueshme ndaj këtyre pjesëtarëve kanë bërë që në vitin 2018, 60 pjesëtarë të kësaj force të japin dorëheqjen nga ky institucion. Askush prej tyre nuk ka pranu të deklarohet për këto dorëheqje, vetëm njëri prej tyre në kushte anonimiteti ka deklaru se ky ka qenë vendim kolektiv dhe për me mbetë jashtë këtij vendimi ka qenë e pashmangshme për pjesëtarë të FSK-së”.
Balaj tregoi se pas largimit të këtyre pjesëtarëve serbë nga FSK-ja, janë arrestuar 5 qytetar të Kosovës nga komuniteti serbë, nën dyshimin për shantazhim dhe sulm. Pas këtij arrestimi, Serbia ka reaguar menjëherë duke kërkuar lirimin e tyre, në të kundërtën do t’i ndërprisnin negociatat me Kosovën, raporton EO.
“Pas largimit të pjesëtarëve nga FSK-ja, institucionet e Kosovës kanë reaguar menjëherë duke arrestuar 5 qytetarë të Kosovës nga komuniteti serb të cilët dyshohen për shantazhimin dhe sulmin ndaj pjesëtarëve të FSK-së dhe i menjëhershëm ka qenë reagimi I Serbisë për lirimin e tyre dhe kanë arritë deri në atë pikë duke kërcënu me ndërprerjen e negociatave Kosovë-Serbi nëse ata nuk lirohen”.
Në fund të prezantimit, Shpat Balaj jep rekomandimet e nxjerra nga raporti. Ndër të tjera, kërkohet nga Bashkimi Evropian të jetë më e ashpër me Serbinë, duke e kushtëzuar anëtarësimin e saj në BE me, siç thotë, Balaj, mosinteferim në institucionet e Kosovës.
“Tu e marrë parasysh afrimin e Serbisë me Bashkimin Evropian, kjo e fundit duhet të jetë më e ashpër përkrah Serbisë, në këtë aspekt, duke e kushtëzu anëtarësimin e saj në BE me mosinterferim në institucionet e Kosovës”.
“Në këtë proces, rol të rëndësishëm mund të ketë edhe shoqëria civile, e cila në bashkëpunim me institucionet duhet të organizojë takime të rregullta me komunitetin serb në lidhje me situatën e sigurisë, dhe njëkohësisht t’i përkrahin dhe t’i fuqizojnë organizatat e shoqërisë civile me bazë në komunat me shumicë serbe dhe në bashkëpunim me to të organizojnë trajnime dhe aktivitete të ndryshme të cilat do të aftësonin pjesëtarët e komunitetit serb për t’u punësu në institucione publike në Kosovë”.