QKUK e quan lajm të rremë, nuk ka rast të konfirmuar me Coronavirus

Prishtinë | 11 Mar 2020 | 13:58 | Nga Ekonomia Online

(I përditësuar) Një rast i raportuar në medie, se është shënuar rasti i parë i infektuar me Coronavirusin, në Kosovë, është lajm i rremë. Këtë e ka konfirmuar për Ekonomia Online, zëdhënësi i QKUK-së, Shpend Fazliu.

“Është lajm i rremë. Nuk është e vërtetë se ka pacientë më Coronavirus”, ka thënë shkurt Fazliu për EO.

Shënohet rasti i parë i infektuar me Coronavirus në Kosovë?

Është shënuar rasti i parë i infektuar me Coronavirus në Kosovë, raporton portali Arbresh.info, duke u thirrur në burime të saj.

Në Klinikën Infektive kanë thënë për Arbresh.info se tashmë në bazë të analizave ka rezultuar një rast pozitiv në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK me metodën RT-PCR.

Deri dje, janë testuar gjithsej 75 mostra të dyshimta në virusin SARS-CoV-2.

Rekomandimet e IKShP:
a. Shmangni kontaktet e ngushta me njerëzit që vuajnë nga infeksione akute të frymëmarrjes!
b. Sa të jetë e mundur shmangni përshëndetjen me shtrëngim të duarve!
c. Shmangni përqafimet dhe puthjet për aq kohë sa jeni në rrezik nga infeksionet respiratore!
d. Lani shpesh duart, veçanërisht pas kontaktit të drejtpërdrejtë me njerëzit e sëmurë ose në vendqëndrimin e tyre!
e. Lani duart porsa hyni në shtëpi!
f. Lani duart para fillimit të përgatitjes së ushqimit!
g. Lani duart pas përdorimit të tualetit!
h. Lani duart sa më shpesh me ujë e sapun 20-30 sekonda, veçanërisht pas kontaktit të drejtpërdrejtë me njerëzit e sëmurë ose në vendqëndrimin e tyre!
i. Evitoni përdorimin e tualeteve publike!
j. Lani duart sa herë që teshtini apo kolliteni!
k. Shmangni prekjen e fytyrës dhe mbuloni gojën dhe hundën me faculetë, me mëngë ose parakrahë gjatë kollës dhe teshtitjes. Pastaj hudhni faculetat e përdorura në shportën më të afërt të mbeturinave!
l. Nëse keni ethe, kollë dhe vështirësi në frymëmarrje kërkoni menjëherë ndihmë mjekësore dhe tregoni historinë eventuale të udhëtimit jashtë vendit!
m. Personat e sëmurë duhet të qëndrojnë në shtëpi në mënyrë që të parandalohet përhapja e sëmundjes!
n. Mos frekuentoni ambientet mbyllura dhe të mbingarkuara me njerëz!
o. Pini sa më shumë ujë, lëngje, çaj me limon!
p. Të moshuarit dhe personat me sëmundje kronike nëse përdorin transportin publik të përdorin maska!
q. Gjatë udhëtimit përdorni ushqime të paketuara!
r. Personat të cilët kanë histori udhëtimi në zonat të cilat raportojnë për përhapje lokale të COVID-19 brenda 2 javëve të fundit, kanë kontakt të afërt me personat e konfirmuar ose të mundshëm me COVID-19, dhe kanë ethe, kollë ose vështirësi në frymëmarrje, duhet menjëherë të kërkojnë ndihmë mjekësore!/arbresh.info/

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme