QKUK-ja qe një vit pa material për proteza

Prishtinë | 26 Shk 2017 | 10:53 | Nga

Që një vit në QKUK nuk ka material me të cilin punohen proteza të ndryshme për ata që kanë nevojë.

Qendra e Shërbimit Klinik të Ortoprotetikës në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës ka një vit që nuk është furnizuar me material nga i cili punohen mjete ndihmëse për lehtësim të ecjes së atyre që kanë humbur ndonjë gjymtyrë, ose kanë deformime.

Më 24 shkurt 2016 QKUK-ja shpalli tender për furnizim me material të qendrës së ortoprotetikës, por ende nuk është nënshkruar kontratë për një material të tillë.

Drejtori i Shërbimit të Ortoprotetikës, Lulzim Geci, tha për KALLXO.com se pacientët të cilët kanë nevojë për këtë material vazhdimisht vijnë në klinikë dhe pyesin se kur mund të pajisen me mjetet që u duhen, por kthehen pa plotësuar nevojat e tyre.

“Tërë vitin e kaluar nuk jem furnizuar me material”, thotë Geci.

Sipas Gecit që nga fillimi i këtij viti kanë filluar të regjistrohen pacientët që kërkojnë mjete të ndryshme për të ndihmuar ecjen, me qëllim që kur të vijë materiali të dihet për çfarë të përdoret.

Deri tash janë regjistruar 40 pacientë të tillë.

Brenda këtij reparti në mure është e vendosur një letër e nënshkruar nga vetë drejtori Lulzim Geci në të cilën thuhet: “Të nderuar pacientë, për shkak të mungesës së materialit nuk jemi në gjendje të prodhojmë proteza nën gju, korsetë plastike, TLSO etj”.

TLSO-ja është një pajisje që vendoset në shtyllën kurrizore me qëllim të korrigjimit të saj në rast deformimi.

Letra me nënshkrimin e drejtorit është e vendosur në ortoprotetikë që nga data 12 prill 2016.

Jetmir Ibrahimi është njëri ndër personat i cili ka pothuajse një vit që pret nga ky repart këpucë ortopedike për djalin e tij 3 vjeç dhe ende nuk i është ofruar zgjidhje.

“Tash po bëhen një vit qëkur është matur këmba për djalin dhe brenda këtij viti kam qenë shumë herë për të kërkuar këpucë dhe gjithnjë ka qenë e njëjta përgjigje se nuk kanë material dhe se është refuzuar tenderi”, tha  Ibrahimi, babai i një pacienti të këtij reparti.

Një tjetër prind i një pacienti që nuk deshi të identifikohej, tha se me muaj është duke kërkuar këpucë ortopedike për vajzën e tij dhe në mungesë të materialit tregoi se mjekët po i rekomandojnë zgjidhjen e këtij problemi në spitalet private.

Ky prind tha se këpucët ortopedike në spitalet private kushtojnë 50 euro, ndërsa deklaroi se nuk ka para për t’i blerë. Në QKUK këpucët dhe pajisjet tjera pacientët i marrin pa paguar.

Menaxheri i Prokurimit në QKUK Gazmend Rushiti tregoi pse mungon materiali në Repartin e Ortoprotetikës.

“Autoriteti Kontraktues QKUK nuk ka kontratë të lidhur për furnizim me material ortoprotetik dhe ky aktivitet i prokurimit është anuluar me vendim të OSHP-së”, tha Rushiti.

Tenderin për furnizim me material nga i cili ndërtohen proteza të ndryshme e kishte fituar kompania “Ortroprotech”, por Organi Shqyrtues i Prokurimit këtë tender e ka kthyer disa herë në rivlerësim, pas opinionit për të të Agjencisë Kundër Korrupsionit.

Kjo agjenci ka konstatuar konflikt interesi në këtë tender, pasi ka vlerësuar se njëri nga bashkëpronarët e kompanisë “Ortoprotech” punon në Repartin e Ortoprotetikës.

“Agjencia ka vërejtur se njëri nga bashkëpronarët e operatorit ekonomik që është propozuar për dhënie të kontratës është edhe punonjës në Repartin e Ortoprotetikës, si punonjës teknik”, thuhet në një opinionin e Agjencisë Kundër Korrupsionit (AKK) lidhur me procedurat të prokurimit të tenderit “Furnizimi me Material për Ortoprotetikë”.

Në vitin 2015 kishte shkruar se të plagosurve civilë nga minat shteti nuk po u siguron proteza për gjymtyrët e humbura. (KALLXO.com)

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme