QKUK në kolaps, pa material shpenzues e barna

Prishtinë | 19 Maj 2018 | 09:48 | Nga

Qendra Klinike Universitare e Kosovës ka mungesë të madhe të materialit shpenzues dhe të barnave. Pacientët ankohen se po blejnë gjithçka, madje edhe dorezat sterile të mjekëve. Edhe drejtues të Bordit të Shërbimit Spitalor Klinik dhe Universitar kanë konfirmuar për “Zërin” se 60 për qind e materialit shpenzues dhe 40 për qind e barnave mungojnë.

A.A. po priste të premten në njërën prej barnatore private, që funksionon në kuadër të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), për të blerë disa barna për babanë e saj, i cili është i shtrirë në Klinikën e Kirurgjisë.

Me një letër në dorë ajo tregon për “Zërin” se jodin dhe shiringat po detyrohen t’i blejnë vetë e madje, siç thotë kjo paciente, po ua blejnë edhe dorezat sterile mjekëve.

‘Unë qe tri ditë e kam sjellë babanë këtu. Në Klinikë më kanë thënë se shiringat, dorezat sterile të mjekëve e gjithçka tjetër duhet t’i blejmë vetë ne, sepse në spital nuk kanë”, ka thënë ajo.

A.A. nuk është e vetmja e cila është ankuar për mosfurnizimin e spitaleve me barna dhe material shpenzues.

Gjatë vizitës në QKUK edhe shumë pacientë të tjerë të cilët ishin të shtrirë në këto klinika ishin të pakënaqur me mungesën e materialit shpenzues.

“Para se të hyj në operacion më është dashur t’i blej vetë edhe mantelet për një përdorim, edhe kapelat e mjekëve. Po më duhet të blej edhe shiringa e jod. Ne kemi edhe shumë shpenzime të tjera, pasi që jemi shtrirë këtu në spital”, ka thënë njëri nga pacientët.

Gazeta “Zëri’ ka provuar të flasë edhe me farmacistë të barnatoreve private, të cilët kanë pohuar se çdo ditë një numër i madh i pacientëve shkojnë për të blerë materiale shpenzuese dhe barna nga lista esenciale.

Sipas tyre, produktet që kërkohen më shpesh janë shiringat dhe jodi.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme