Koordinatori i Qendrës së Numërimit dhe Rezultateve (QNR), Burim Ahmeti, konfirmuar se kandidati për deputet për Kuvendin e Kosovës nga radhët e LDK-së, Naser Osmani, ia ka zërë vendin Imet Rrahmanit, raporton Ekonomia Online.
Ai ka theksuar se pas rinumërimit të 117 kutive të votimit nuk ka pasur ndryshime tek partitë politike por vetëm tek kandidatët.
Ndërsa, Fikrim Damka nga KDTP-ja ka hyrë në vend të Mahir Yagcilarit dhe Slavko Simić nga Lista Serbe ka hyrë në vend të Branimir Stojanoviqit.
Anëtari i KQZ-së Betim Gjoshi, ka kërkuar nga institucionet që të shohin masat që duhet të ndërmerren për ta përmirësuar këtë aspekt sepse po ka shumë rinumërime.
Edhe anëtari tjetër Adnan Rrustemi, ka kërkuar analizë për tërë procesin për të parë se prej ku po buron ky rinumërim. Rrustemi tha se po merr kohë shpallja e rezultateve me shumë se sa vet përgatitja e vet procesit zgjedhor.
Ndryshimet e kandidatëve janë shfaqur në 3 raste, si në vijim:
Kandidati Naser Osmani nga Lidhja Demokratike e Kosovës – Aleanca Kosova e Re fiton mandatin pas rinumërimit (para rinumërimit: 7 mijë e 265 vota – pas rinumërimit 7 mijë e 350 vota) në vend të Imet Rrahmani (para rinumërimit: 7 mijë e 275 vota – pas rinumërimit: 7 mijë e 272 vota).
Kandidati Fikrim Damka nga Kosova Demokratik Turk Partisi fiton mandatin pas rinumërimit (para rinumërimit: 2 mijë e 905 vota – pas rinumërimit 2 mijë e 980 vota) në vend të Mahir Yagcilar (para rinumërimit: 2 mijë e 929 vota – pas rinumërimit: 2 mijë e 928 vota).
Kandidati Slavko Simiq nga G.I. Srpska Lista fiton mandatin pas rinumërimit (para rinumërimit: 12 mijë e 051 vota – pas rinumërimit: 12 mijë e 603 vota) në vend të Branimir Stojanoviq (para rinumërimit: 12 mijë e 245 vota – pas rinumërimit: 12 mijë e 464 vota).
Në fund të mbledhjes, kryetarja Daka bëri të ditur se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është në pritje të vendimeve të Gjykatës Supreme lidhur me ankesat që janë bërë në këtë institucion për të proceduar më tej për certifikimin e rezultateve.