QPA: Vazhdojnë të shkelen të drejtat e punëtorëve

Prishtinë | 07 Dhj 2016 | 10:48 | Nga

Në kuadër të projektit “Fuqizimi i Sundimit të Ligjit-Promovimi i të Drejtave të Punëtorëve” përkrahur nga Olof Palme International Center (OPIC), Qendra për Politika dhe Avokim (QPA) ka prezantuar një hulumtim lidhur me shkeljet e ligjit të punës.

Në tryezë u theksua se të gjeturat kryesore të hulumtimit janë që shumica e punëtorëve punojnë pa kontrata pune ose me kontrata me afat të kufizuar, ka problem me largimin e punëtorëve nga puna, sigurinë në vendin e punës, moskompenzimin e orëve shtesë, pushimin vjetor, mjekësor dhe atë të lehonisë.

Sa i përket të punësuarve me kontrata pune del se vetëm 29.2% e personave të punësuar kanë kontratë të përhershme në punën e tyre kryesore, ndërkohë që 70.8% kanë kontratë të përkohshme.

Me gjithë këto masa të ndërmarra nga institucionet për zbatimin e ligjit, numri i punëtorëve të cilët kanë gjetur vdekjen në vendin e punës dhe të atyre që kanë pësuar lëndime të rënda trupore mbetet shqetësues. Sipas raportit të Inspektoratit të Punës për muajt Janar-Shtator 2016 dhe të dhënave të Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK), 33 të punësuar kanë pësuar lëndime të rënda, ndërsa 6 kanë pësuar me fatalitet.

Sipas përfaqësueses së BSPK-së, Dafina Mehaj, numri i rasteve që kanë pësuar lëndime në punë është shumë herë më i madh, mirëpo punëtorët nuk i raportojnë ato nga frika se të njëjtit mund të largohen nga puna.

Përfaqësuesi i SBAShK-ut, Rrahman Jashari u shpreh se gjendja e punëtorëve të arsimit është relativisht e mirë, ku si përparësi përmendi kontratat e punës që fillimisht janë njëvjeçare e pastaj bëhen të përhershme. Nga ana tjetër përfaqësuesja e Sindikatës së Policisë së Kosovës, Valbona Kamberi theksoi se problem mbeten pagat e ulëta për punonjësit policorë duke pasur parasysh rrezikshmërinë e punës së tyre, mungesën e pensionit invalidor në moshën 55 vjeçare për këta punonjës etj.

Ndërsa përfaqësuesja e sindikatës së KEDS-it, Afërdita Kaçiu, tha se problem kryesor është largimi nga vendi i punës për punëtorët me kontrata pune, mosnënshkrimi i kontratës së rregullt për punëtorët që nuk i kanë 10 vjet përvojë pune etj.

Përfaqësues tjerë të sindikatave dhe të shoqërisë civile shprehën shqetësimet lidhur me pushimin e lehonisë, ku u kërkua që pushimi të ndahet si leje prindërore e përbashkët për të dy prindërit. Gjithashtu u kërkua të gjinden modalitete nga qeveria që të mos zvogëlohet pushimi ose leja por përkundrazi të paguhet edhe 3 mujori i katërt, dhe barra e pagesës të kaloj nga shteti për të ndihmuar sektorin privat, si dhe njëkohësisht të ruajë vendin e punës për lehonat.

qpa

 

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme