Nëpërmes një deklarate të përbashkët, ambasadat e Francës, Gjermanisë, Italisë, Mbretërisë së Bashkuar dhe Shteteve të Bashkuara (të njohura si Quinti) kanë përshëndetur bashkëpunimin dhe bashkërendimin ndërmjet Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGjK) dhe udhëheqëses së Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) në certifikimin zyrtar – për herën e parë ndonjëherë – të kandidatëve për zgjedhjet komunale duke përdorur raportet e gjykatave në shkallë vendi.
Qunti apelon te Komisioni i Zgjedhjeve që të diskualifikojë, në pajtim me ligjin e Kosovës, ata kandidatë për të cilët gjykatat kanë certifikuar dënimet përfundimtare në tri vitet e kaluara.
“Hapi i parë në zgjedhjen e zyrtarëve të besueshëm dhe të përgjegjshëm është që të sigurohet se të gjithë kandidatët i plotësojnë kushtet minimale të besimit publik sipas ligjit:, thuhet në deklaratën që e përcjell për medie Ambasada e ShBA-së.
“Por, në zgjedhjet demokratike qytetarët e kanë fjalën e fundit. Qytetarët kanë fuqinë që të refuzojnë kriminalitetin dhe të kërkojnë që të kenë zyrtarë publikë që janë të aftë dhe të ndershëm”, theksohet në deklaratën e përbashkët.