Deputeti i LDK-së, Anton Quni e ka komentuar refuzimin e zëvendëskryeministrit, Besnik Bislimi për t’u takuar javën e ardhshme në Bruksel me kryenegociatorin serb dhe ndërmjetës të BE-së për të folur për dinarin.
Quni ka vlerësuar se një veprim i tillë i Bislimit, do të marr kritika e do ta vështirësojë pozicionin ndërkombëtar të Kosovës.
Madje, Quni ka thënë një situatë si kjo, do të krijojë avantazhe për palën serbe, duke u bërë temë diskutimi në takimet e ardhshme.
“Refuzimi i Bislimit që me trajtuar një çështje, jam i bindur se do të merr kritika, do të gjykohet dhe po e vështirëson pozicionin ndërkombëtar të Kosovës. Thjeshtë po krijon avantazhe për palën serbë që do e materializojnë në tavolinën e diskutimeve”, ka thënë Quni për Teve1.
Ndërkohë për Qunin, vendimi për dinarin është i drejtë ani pse ai thekson se për pasojë në vend mund të ndodhë edhe përshkallëzim i situatës.
“E kemi një veprim të qeverisë që e cilësojmë të drejtë, e kemi një rezultat që mundet me shkaku tension, tension ky që mund të menaxhohet. Qytetarët serbë të marrin urdhra nga Beogradi që mos të lejohet implementimi i politikave deri tek veprimet konkrete që dinari me qenë i kontrolluar dhe të bëhet në format që e ka paraparë BQK-ja. Mund të vijmë në një situatë që institucionet tona në ballafaqim me grupet e armatosura me ardhur deri tek një konflikt që mund edhe më tutje të përshkallëzohet”, ka vlerësuar ai.
Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, ka thënë se ka pranuar një ftesë nga Brukseli, për Rregulloren e Re të Bankës Qendrore të Kosovës që parasheh se monedha e vetme në Kosovë për pagesa të jetë euro, por ka refuzuar pjesëmarrjen. Ai ka deklaruar se nuk do të jetë pjesëmarrës në këtë takim, pasi “çështja e dinarit nuk është pjesë e dialogut”, duke shtuar se do të vendoset javën e ardhshme se kush do të shkojë.
Bislimi ka thënë se për këtë takim nuk ka pasur dakordim, ndërsa ka akuzuar të dërguarin evropian Lajçak se ka shkelur parimet që i kishte vendosur vetë.