Ministri i Mbrojtjes Anton Quni, ka pritur në takim ambasadorin e Malit të Zi në Kosovë Ferhat Dinosha.
Në këtë takim Quni dhe Dinosha diskutuan për bashkëpunimin bilateral mes dy vendeve në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes.
Lidhur me çështjen e integrimit të pjesëtarëve nga radhët e komunitetit malazez, i pari i Forcës së Sigurisë së Kosovës theksoi se FSK-ja është institucion i të gjithëve dhe në shërbim të të gjithë qytetarëve të vendit, pa dallime etnike, racore, gjinore e fetare, dhe se pjesëtarët e komunitetit malazez, sikur edhe pjesëtarët tjerë nga komunitetet tjera jo shumicë, janë të mirëpritur të inkuadrohen në radhët e FSK-së dhe të japin kontributin e tyre në shërbim për të mirën e përbashkët.
Ndërkaq Dinosha e uroi Qunin dhe gjithashtu përcolli urimet e homologut të tij malazez për Ditën e pavarësisë dhe marrjen e detyrës së ministrit të mbrojtjes.
Ai në fjalën e tij, përcolli zotimin e autoriteteve shtetërore të Malit të Zi për vazhdimin e bashkëpunimit bilateral dhe mbështetjen e Kosovës në rrugën e integrimit evropian dhe euroatlantik në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes si vend fqinj dhe miqësor.
Ai shprehu interesimin për integrimin e mëtejmë të pjesëtarëve nga radhët e komunitetit malazez në kuadër të integrimit të pjesëtarëve nga radhët e të gjitha komuniteteve tjera jo shumicë në Kosovë.