Mungesa e terapive në Klinikën e Onkologjisë në QKUK po detyron pacientët që t’i blejnë vetë ato, megjithëse kanë kosto ndonjëherë edhe të papërballueshme.
Një qytetar ka raportuar në “Network Prishtina” se ShSKUK-ja ka mungesë të terapive për Klinikën e Onkologjisë tash e një kohë, duke treguar se është detyruar që t’i blejë personalisht terapitë për babain e tij.
“Babi është duke i marrë terapitë në repart të Onkologjisë mirëpo ka që disa kohë që spitali thotë se nuk ka terapi dhe duhet me shku me i ble, ku secila kushton deri në 100 euro në jave. Kjo është shtesë mbi të gjitha barnat e tjera që duhet me i ble”, ka shkruar ky qytetar.
Ai ka thënë se nuk janë rasti i vetëm pasi që ka çdo ditë familje që kthehen në shtëpi për shkak se nuk kanë mundësi financiare që t’i blejnë terapitë dhe kështu personat e sëmurë mbesin pa mundësi shërimi nga sëmundjet si kanceri, që pa këto terapi nuk kanë shërim.
Qytetari në fjalë ka kërkuar nga të tjerët këshilla se ku mund të ankohet për kushtet që po ofron SHSKUK-ja, pasi që sipas tij përpos barrës psiqike, kjo çështje është edhe barrë financiare.
Postimi i plotë i tij:
Pershendetje per krejt!
Babi eshte duke i marre terapite ne repart te Onkologjise mirepo ka qe disa kohe qe spitali thote qe nuk ka terapi dhe duhet me shku me i ble, ku secila kushton deri ne 100€/jave. Kjo eshte shtese mbi te gjitha barnat tjera qe duhet me i ble.
Na nuk jemi rasti i vetem pasi qe ka cdo dite familje qe kthehen ne shtepi per shkak se nuk kane mundesi me e ble terapine edhe keshtu personat mbesin pa pas mundesi sherimi ne semundjet si kanceri qe pa keto tretmane nuk ka sherim.
A dini ku mundem me u anku ose me be kerkese pasi qe eshte barre psiqike me mendu cdo here se a ka me pas a jo terapi e pastaj eshte barre financiare per ne.
Faleminderit paraprakisht