Të dielën në mbrëmje në Kosovë do të arrijë kontingjenti i parë me 24.000 doza të vaksinave kundër Coronavirusit, të kompanisë AstraZeneca. Disa qytetarë në Prishtinë këtë po e shohin si arritje të madhe për vendin, raporton Ekonomia Online.
Ata kanë thënë për Ekonomia Online se janë pro vaksinimit të popullatës.
Qytetari Salih Salihu tha se është i informuar që sot do të arrijnë disa nga vaksinat AstraZeneca, tutje ai u shpreh se do të vaksinohet pasi të sheh efektin që ka tek të tjerët.
“Mirë shumë ata që dëshirojnë munden me marrë, unë do të pres më vonë ndoshta por tash jo, nuk është nga frika por e kam kaluar dhe po pres si po reagon tek tjerët”, tha ai.
E qytetari tjetër Agim Përshtica, tha meqenëse vendet tjera janë duke u vaksinuar, të njëjtën gjë duhet ta bëjnë edhe qytetarët e Kosovës.
“Unë personalisht po dhe e konsideroj si një arritje dhe sukses i madh që kanë arritur edhe këtu tek ne, nuk duhet me u bë pyetja se a duhet me marrë apo jo, kur krejt bota e merr pse mos me marr edhe ne. Unë edhe pse e kam kaluar virusin, ndër të parët e kisha marrë”, u shpreh qytetari Përshtica.
Në anën tjetër, Milot Sejdiu u shpreh i gatshëm të vaksinohet, madje nëse është e nevojshme edhe dy herë.
“Nëse është pa parë e marr, jo një po më shumë, te shohim çfarë po ju bën tjerëve kurse frikë nuk kemi”, tha ai.
Tutje, edhe Ibrahim Maxhuni tha se do ta marrë vaksinën pa asnjë hezitim.
“E kisha marrë, nuk e di që e kam kaluar virusin”, theksoi qytetari Maxhuni.