Në referendumin e së dielës (16 janar) qytetarët e Serbisë po vendosin për ndryshimin e Kushtetutës së Serbisë në fushën e drejtësisë.
Vendvotimet u hapën në orën 07:00 dhe do të mbyllen në orën 20:00.
Në referendum ka votuar herët në mëngjes edhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Ai u tha gazetarëve se shpreson se ndryshimet në Kushtetutë do të konfirmohen sepse ato janë të rëndësishme për investitorët e huaj për të cilët sundimi i ligjit është një nga faktorët kryesorë kur vendosin për investime në Serbi.
Ivica Daçiq, president i parlamentit serb dhe lider i Partisë Socialiste të Serbisë (SPS), e cila merr pjesë në qeverinë serbe, tha gjatë votimit se nëse konfirmohen ndryshimet kushtetuese, legjislativi dhe ekzekutivi nuk do të kenë asnjë lidhje me gjyqësor.
Në mëngjesin e 16 janarit, në referendum ka votuar edhe kryeministrja e Serbisë, Ana Brnabiq.
Të drejtë vote në referendum kanë mbi 6 milionë e 510 mojë votues, sipas Komisionit Republikan të Zgjedhjeve (KRZ).
Pyetja e referendumit thotë: “A jeni për konfirmimin e Ligjit për ndryshimin e Kushtetutës së Republikës së Serbisë?”, dhe qytetarët mund të rrethojnë “po” ose “jo”.
Rikujtojmë se Deputetët e Kuvendit të Kosovës të shtunën (15 janar) kanë miratuar një rezolutë që shpreh kundërshtimin që në Kosovë të mbahen votime për referendumin e lartcekur të shtetit të Serbisë për ndryshime kushtetuese.
Me 76 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, Kuvendi miratoi rezolutën gjatë një seancë të jashtëzakonshme të thirrur nga kryeministri, Albin Kurti.
Sipas rezolutës, mbajtja e referendumit të Serbisë në Republikën e Kosovës, “cenon sovranitetin dhe rendin kushtetues të Republikës së Kosovës, është në kundërshtim me Kushtetutën, ligjet e Republikës së Kosovës, si dhe me normat e praktikat ndërkombëtare”.
Ky vendim nxiti protesta tek serbët lokalë në Kosovë të cilët udhëtuan nëpër qytete të Serbisë për të pasur mundësi të votojnë në këtë referendum
Në artikullin më poshtë gjeni të shpjeguar detajet lidhur me referendumin që po mbahet në Serbi.