Qytetarët po e cilësojnë si të drejtë vendimin e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), për të qëndruar në sallë ditën kur edhe do votohet për presidente Vjosa Osmani, raporton Ekonomia Online.
Madje sipas tyre vendi nuk duhet të shkojë në zgjedhje dhe se presidenti duhet të zgjidhet sa më shpejtë.
Vahid Berisha, e cilëson vendimin e LDK-së si të drejtë, pasi sipas tij, nuk duhet të bëhen harxhime të kota për zgjedhje të reja.
“Unë jam i kënaqur me këtë vendim, shkaku i asaj që mos me shku populli edhe njëherë në zgjedhje, me bë harxhime dhe që po bëhen gjithë ato zgjedhje në një kohë të shkurtër”, tha Berisha.
Arbnor Cana, tha që dyshon që vendi do shkojë sërish në zgjedhje, por thotë që institucionet duhet të jenë funksionale patjetër.
“Institucionet duhet të themelohen, mos me shku prapë në zgjedhje edhe pse prapë dyshoj që zgjedhje do ketë prapë”, theksoi ai.
Ndërsa Liman Limani tha që nëse vendi shkon në zgjedhje bëhet “katastrofë”, andaj presidenti duhet të zgjidhet.
“Vendimi i LDK-së është i mirë dhe i mirëseardhur, mos me shku në zgjedhje dhe me u ba katastrofë më e madhe”, deklaroi Limani.
Edhe Sahit Sahiti, tha se vendimin e LDK-së e sheh si të drejtë dhe pozitiv, raporton EO.
“Vendimin e LDK-së e shoh shumë të drejtë dhe pozitiv, nëse nuk zgjidhet Presidentja pa marrë parasysh se kush me cilën parti është”, përfundoi Sahiti.
Kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku pas takimit me Grupin Parlamentar të kësaj partie, tha se kanë marrë vendim që të qëndrojnë në sallë kur do të votohet Vjosa Osmani, për presidente.