Arton Demhasaj nga organizata ” Çohu” ka thënë në një prononcim për Ekonomia Online se qytetarët në zgjedhjet e 14 shkurtit e kanë ndëshkuar LDK-në për shkak të prishjes së koalicionit me VV-në në kohë pandemie.
Sipas tij, dalja nga Qeveria e LDK-së në kohë pandemie ka bërë që shumë qytetarë ta fajësojnë atë e cila ka ndikuar që Vetëvendosje të dyfishoj numrin e votave e LDK-ja të pësojë rënie.
“Zgjedhjet kanë qenë tepër mirë të organizuara dhe kanë përfunduar në mënyrën më të mirë të mundshme, pa pasur eksese të mëdha. Rezultati i tyre ka treguar një fitore të thellë të Lëvizjes Vetëvendosje dhe njëkohësisht një humbje të thellë të Lidhjes Demokratike të Kosovës për shkak se Vetëvendosje e ka dyfishuar rezultatin e zgjedhjeve të kaluara të 2019-ës ndërsa Lidhja Demokratike e ka përgjysmuar rezultatin që ka pasur në 2019”
“Kjo ka ndërlidhje me prishjen e koalicionit që në atë kohë u quajt koalicioni i shpresës në mes të VV-së e LDK-së. Kur LDK e prishi këtë koalicion dhe rrëzoi Qeverinë Kurti në mes të pandemisë mendoj që kjo ka ndikuar që një pjesë e madhe e qytetarëve të Kosovës ta fajësojnë LDK-në për këtë veprim dhe ky rezultat mund të jetë një ndëshkim për LDK-në dhe njëkohësisht një favor për VV-në për shkak të rrëzimit të asaj qeverie” është shprehur Demhasaj.
Kurse zgjedhjen e Vjosa Osmanit për presidente të Republikës së Kosovës, Demhasaj e sheh të vështirë për shkak të kundërthënieve dhe inateve që kanë partitë politike në vend.
“Bazuar në numrat aktual që kemi Lëvizja Vetëvendosje momentalisht qëndron me 56 deputet andaj është kogja e vështirë të besohet që mundet VV-ja me këta numra të sigurojë shumicën e nevojshme prej 80 deputetëve në Kuvend që ta zgjedhin zonjën Osmani presidente. Ky proces mendoj që është shumë i vështirë, përjashtimisht nëse ndodhë që me bindë ndonjë parti politike për ta krijuar kuorumin, por këtë e shoh të vështirë për shkak të kundërthënieve të mëdha që janë ndërtuar mes partive politike, njëkohësisht për shkak të inateve politike që ne e dimë si funksionojnë tek ne. Kogja e vështirë si proces që me u konsiderua që mundet me u përfunduar me sukses ideja që zonja Osmani të zgjedhjet presidente e republikës” është shprehur Demhasaj për EO.