Qytetarët për sulmin në kanalin e Ibër-Lepencit: Taktikë e Serbisë për të destabilizuar vendin tonë

| 05 Dhj 2024 | 08:49 | Nga

Sulmi i të premtes në kanalin Ibër-Lepenc në Zubin Potok është vlerësuar nga qytetarët si një akt i motivuar politikisht dhe i orkestruar nga Serbia, si pjesë e strategjisë për të destabilizuar situatën në Kosovë, raporton Ekonomia Online.

Qytetari Dibran Gashi e ka quajtur këtë një akt terrorist që godet infrastrukturën jetike të Kosovës, siç është furnizimi me ujë dhe energjia.

Gashi po ashtu ka kritikuar Qeverinë e Kosovës, duke thënë se pretendimet për sovranitet janë të pasakta dhe se marrëveshjet me Serbinë, si ajo e Ohrit, kanë krijuar autonomi për serbët në Kosovë.

“Nuk mund të them nga kush për arsye se ne e dimë çka mendon Serbia për Kosovën, por ai ka qenë akt terrorist. Është një sulm ndaj arterieve kryesore ndaj furnizimit me ujë të Kosovës, sidomos të termocentraleve dhe ujit të pijshëm. Vetë veprimet që bëhen në veriun e Kosovës janë nxitje nga pushteti serb, por megjithatë mbesin të shihet me denoncimet dhe njerëzit i kanë marr për të verifikuar faktet përmes prokurorisë e cila e ka në dorë për ta zbardhur. Ky sovranitet që pretendon Qeveria Kurti është mashtrues dhe jo i saktë sepse gjërat atje janë stisje sesa realitet, sepse me marrëveshjen e Ohrit, serbët e Kosovës fitojnë autonomi më të lartë sesa që ka qenë Zajednica, por me zgjedhjet lokale do të vërtetohet se gjithçka ka qenë frazë dhe më e keqja që Qeveria Kurti nuk i ka bërë koordinimin me aleatët tonë për të bërë zgjidhje reale në atë territor dhe mos të sillet kjo gjendje me i konvenuar Serbisë”, ka thënë Gashi për Ekonomia Online.

Nga ana tjetër, mërgimtari Florim Halimi theksoi se Kosova ka institucionet dhe sigurinë e nevojshme për të përballuar këto sulme dhe për të ruajtur stabilitetin, por beson se Serbia nuk ka më guximin për të shkaktuar një konflikt të ri.

“Po ka qenë sulm nga Serbia, vendi nuk është në rrezik sepse kemi institucionet tona dhe sigurinë, e dimë që përpara nuk e kemi pasur mundësinë për ta vizituar Mitrovicën e Veriut. Një sulm i rëndë për t’ia dhënë Kosovës po, por nxitje për luftë nuk e besoj sepse nuk e kanë atë guxim më, ata nuk na donë të mirën e shohim gjithë këto të mira që kemi arritur, kjo gjë nuk i vjen mirë Serbisë”, ka thënë Halimi.

Afërdita Halimi, si mërgimtare, ka shprehur dëshirën për një Kosovë më të bashkuar, ku qytetarët të punojnë për forcimin e shtetit dhe të heqin dorë nga ndasitë dhe gjuhët e vrazhda.

“Ne jemi mërgimtarë dëshira jonë është të kthehemi në Kosovë dhe të punojmë me njëri-tjetrin. Ta heqim gjuhën e vrazhdët dhe sjelljet e këqija, forco vendin tënd… Nëse vazhdohet kështu, ne kundër njëri tjetrit ata do të bëhen edhe më të fortë, ne duhet të forcohemi. Puno për shtetin tënd, nuk ka vend pa korrupsion në këtë botë, por njëherë është forcimi i shtetit e i ligjit. 20 vjet kemi nda prej bukës së gojës prej fëmijëve tanë, dhe kemi dhënë 3 përqindëshin në Kosovë dhe kur jemi këtu jemi të poshtëruar prej dikujt, kurse neve na dhemb kur shkelim këtu në Prishtinë”, theksoi Halimi për EO.

Nga ana tjetër, Anton Uka ka vlerësuar veprimet e Serbisë si taktika të qëllimshme për të tensionuar situatën dhe për të vështirësuar procesin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.

“Çdo qytetarë i rëndomtë e di ato janë taktikat e Serbisë për të tensionuar situatën dhe është vështirë për marrëveshjet Kosovë-Serbia, ato janë taktika të tyre dhe metoda të kahershme të Serbisë. I ka bërë edhe në Bosnje e shtete të tjera fqinjë. Nuk jemi të rrezikuar duhet të jemi më të kujdesshëm dhe të vihen kamerat për të përcjellë e jo të flasësh me hamendje që është terror, kjo nuk është terror, por shumë e planifikuar”, ka potencuar Uka.

Të ngjashme