Oda Ekonomike Amerikane (OEAK) ka mbajtur tryezë diskutimi me temën “Parandalimi i barnave të falsifikuara: Fakte dhe shifra”. Me këtë rast, u vlerësua lartë shtimi i buxhetit në shëndetësi, teksa u kërkua më shumë punë në parandalimin e barnave të falsifikuara, raporton Ekonomia Online.
Aty u tha se rrezikshmëria nga blerja e barnave të falsifikuara është shumë e madhe e se shumë njerëz vdesin si pasojë e kësaj. Nga Ministria e Shëndetësisë thanë se vetëm 24 raportime janë bërë gjatë dy viteve të fundit. Shumë pak raportimet u bën nga mjekët, ndërsa vetëm një nga farmacisti i spitalit.
Kryetari i OEAUK-ut, Arian Zeka, tha se rrezikshmëria nga barnat e falsifikuara është e madhe, prandaj është e rëndësishme që të përforcohen masat e kontrollit dhe të parandalohet importimi i tyre në vend.
“Barnat e falsifikuara janë produkte që mund të mos i përmbushin standardet e që përmbajnë më pak ose aspak përbërës aktivë, apo mund të përmbajnë edhe substanca të kontaminuara, ose në rastet më të këqija, edhe mund të ofrohen në dozat jo të duhura. Prandaj është e rëndësishme që të përforcohen masat e kontrollit, që të parandalohen barërat e falsifikuara që mund të importohen në vend, sidomos nga prodhues të panjohur e këto masa duhen rregulluar me dispozitat e duhura ligjore, të cilat do të duheshin penguar barërat e falsifikuar”.
Zeka gjithashtu tha se përveç rritjes së kontrollit, është e rëndësishme që të lehtësohen procedurat për importimin e barërave të verifikuara, sidomos për ato që vijnë nga tregu evropian.
“Do të duheshin lehtësuar në anën tjetër importimin e barërave të verifikuara nga prodhuesit e sigurt e sidomos barërat të regjistruara në tregjet e bashkimit evropian. Duhet rritur edhe kontrolli i shitjes së barërave për të cilat përshkrimi nga ana e mjekëve është e domosdoshme, prandaj ne në Odën Amerikane po e shohim të rëndësishme, që bashkë me anëtarët e komiteti tonë shëndetësor e palët e tjera të interesit, ligjvënësit, Ministrinë, autoritetet rregullative e licensuese e ofruese të shërbimeve të kujdesit shëndetësor të diskutohen çështje të tilla”, u shpreh ai.
Ndërsa, zëvendësministri i Shëndetësisë, Arsim Berisha, tha se MSh është në përfundim të kornizës ligjore, sa i përket rregullave për prodhimin dhe përcaktimin e çmimit të barnave.
“Tashmë grupi punues ka përfunduar punimet dhe së shpejti do të përfundojë edhe diskutimet me individë të ndryshëm lidhur më këtë çështje. Ky vit është sikur asnjëherë më parë me një buxhet goxha të madh për shëndetësi. Një hap tjetër e kemi bërë në monitorimin e këtij tregu. Ndërsa për temën e sotme, që është falsifikimi i barnave, ndikon drejtpërdrejtë tek shëndeti publik”, tha Berisha.
E deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Armend Zemaj, tha se shpreson se do të votohet Ligji i Barnave, sepse në mungesë të tij dëmtohen qytetarët e Kosovës.
Ai tha se gjendja ekonomike e rëndë në Kosovë ka ndikuar që qytetarët të shikojnë mundësitë më të ulëta për të blerë barna.
“Kush është ai që mashtrohet, është gjithmonë konsumatori apo qytetari i cili bie nën juridiksionin e Ministrisë së Shëndetësisë. Gjendja ekonomike e rëndë në Kosovë ka ndikuar që qytetarët të shikojnë mundësitë më të ulëta për të blerë barna. Ne kemi provuar edhe këtë mandat, përkundër vullnetit të shumicës, që të sjellim ligje për barna dhe për shëndetësi, shpresojmë që në vitin e 3-të kjo Qeveri do të punojë në këtë drejtim”, tha Zemaj.
Dr. Pius Waldmeier, Kryesues i Hulumtimit & Zhvillimit, “Hoffman-La Roche” tha se kanë shpenzuar 42 milionë euro për të krijuar barna të reja dhe se merren veprime konkrete kundër falsifikimit të tyre.
“Kemi shpenzuar rreth 42 milionë për të krijuar barna të reja dhe për të ndihmuar pacientët. Ne mundohemi të mbrojmë pacientët sa më mirë që mundemi por edhe të mbrojmë nga krijimi i produkteve te falsifikuara. Nëse janë false ndërmarrim veprime konkrete duke kontaktuar organizata të pacienteve për barnat e falsifikuara që te mund të merren hulumtime për këto”, tha Waldmeier.
Ai tha se qëllimi i tyre është që të zbulohen mallrat e falsifikuara para se të mbërrijë tek pacienti.
“Ne mundohemi të implementojmë shumë projekte, ne duhet të gjejmë të zbulojmë mallin e falsifikuar para se të shkojë të pacienti pasi ky është qëllimi, të sigurohemi që barna që merr pacienti është e sigurt”, tha Waldmeier.
Ai përmendi edhe faqet e internetit ku tha se blerjet online të produkteve farmaceutike janë të rrezikshme dhe se shumë njerëz vdesin nga barnat e falsifikuara.
“Në vitin e kaluar në 80 mijë faqe është ofruar produkti fals. Mos blini produkte nga interneti sepse është shumë e rrezikshme. Ne nuk mund ta ndalojmë falsifikim në gjithë botën por mund ta kontrollojmë zinxhirin e furnizimeve tona qe mundohemi ta bëjmë sa më të sigurte që mundemi. Shumica e njerëzve nuk janë të vetëdijshëm se 1 milion njerëz vdesin nga barnat e falsifikuara, jemi munduar ta parandalojmë dhe ta luftojmë por këtu vit pas viti 1 milion persona vdesin por kjo është e papranueshme dhe duhet të luftojmë që ta parandalojmë, kjo shifër është dhënë nga OBSH”, u shpreh ai.
“Po është shumë e vështirë të parandalohet se ka shumë shifra apo shuma qe hyjnë, aty shumë biznese. Janë 50 mijë farmaci online, shumica e produkteve online janë false dhe kjo është për të ardhur keq”, u shpreh tutje ai.
Selvete Shuleta-Qehaja, udhëheqëse e Divizionit,Ministria e Shëndetësisë, tha se pak raportime vendore ndodhin nga mjekët dhe farmacisti i spitalit. Sipas saj, vetëm 24 raportime janë bërë për falsifikim të barnave.
“Në vitin 2021 ka pasur vetëm 13 raporte, ndërsa në 2022 ka pasur vetëm 11 raportime nga pacientët dhe mjekët. Në përgjithësi raportimet pranohen kryesisht nga personat lokal të FDF që veprojnë në Kosovë, me gjitha këto 24 raportime vendore që janë pranuar gjatë dy viteve të kaluara vetëm pak nga këto janë raportuar nga mjekët dhe vetëm një nga farmacisti i spitalit”, tha Qehaja.
Ajo gjithashtu theksoi se kur fletushka e barnave është në gjuhë të huaj rrezikohet pacienti.
“Barnat e falsifikuara është nga problematikat më të mëdha që ndikon tek pacienti. Trajtohen barnat e falsifikuara, efektet anësore negative dhe trajtimi i shqetësimeve potenciale te sigurisë. Cilësia e falsifikimit, keqpërdorimi i produktit origjinal, këto të gjitha mund ta dëmtojnë pacientin. Pacienti rrezikohet nëse fletushka është në një gjuhë të huaj, p.sh në rastin kur mallrat janë të kontrabanduara”, tha Qehaja.