Aksioni i Policisë dhe Doganës së Kosovës kundër kontrabandimit të mallrave, u përcoll me tensione në veri. Policë e gazetarë u sulmuan nga protestuesit serbë, të cilët përdorën gurë e molotov, raporton Ekonomia Online.
Gjatë operacionit – që nisi në orët e hershme të mëngjesit dhe përfundoi në mesditë – dhjetë zyrtarë policorë kanë pësuar lëndime trupore, dhjetë banorë të Mitrovicës së Veriut kërkuan ndihmë mjekësore, ndërkaq tetë persona janë arrestuar dhe shoqëruar në stacione policore.
“Përderisa në të gjitha rajonet tjera operacioni policor ka kaluar pa probleme, në Mitrovicë e Veriut grupe kriminale në mënyrë të organizuar janë grumbulluar, kanë krijuar bllokime të rrugëve me mjete të ndryshme transportuese, kanë përdorur bombola gazi, shok bomba, të shtëna me armë zjarri e granata dore, me qëllim të pengimit dhe sulmit ndaj zyrtarëve doganorë dhe policorë, të cilët kanë qenë në kryerje të detyrës zyrtare”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës dhe shtohet se situata në pjesën veriore të Mitrovicës është qetësuar.
Policia e Kosovës njoftoi se po ashtu ka identifikuar dhjetë persona që dyshohet se janë të përfshirë në kontrabandë dhe të cilët janë shpallur në kërkim.
“Policia e Kosovës në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë, është duke kryer hetime intensive drejt identifikimit edhe të personave të tjerë të dyshuar të përfshirë në kontrabandë me mallra, por edhe në aktet kriminale dhe sulmet me mjete të rrezikshme, armë zjarri të kryera ndaj zyrtarëve policorë dhe atyre doganorë sot gjatë operacionit”, thuhet në njoftim.
Ekipi i Ekonomia Online ka qëndruar në veri. Aty është parë se janë bllokuar rrugët pas aksionit të Policisë së Kosovës për konfiskim të mallrave të kontrabanduara.
Në këtë aksion, sipas njoftimit të Policisë së Kosovës është e përfshirë edhe Dogana e Kosovës, ndërkaq policia ka shpërndarë disa fotografi të mallrave të sekuestruara, ku vërehen që janë mallra ushqimore.