Pavarësisht që mbi 16 mijë qytetarë i janë përgjigjur pozitivisht peticionit për bashkim të Mitrovicës së Jugut me atë të Veriut, ata mendojnë se e tërë kjo është lojë politike.
Ata vlerësojnë se bashkimi duhet të ndodhë dhe janë të gatshëm që ta përkrahin sërish një iniciativë të tillë.
Qytetarët kanë thënë se vendimi që ka marrë Ministria e Pushtetit Lokal, është i padrejtë dhe duhet rishikuar.
Por, ka edhe të atillë që thonë se ideja për bashkim është e duhur, por jo në kompetencë të kryetarit Agim Bahtiri.
Ndërkaq, MAPL-ja, përmes një vendimi, ka bërë të ditur se peticioni për bashkim të Mitrovicës, nuk përmbush kriteret e nevojshme.
Saktësisht, sipas MAPL-së, peticioni ka përmbushur vetëm 2 nga 8 pikat e nevojshme.
Mes tjerash, nuk është shpalosur mënyra e financimit të nismës dhe as nuk është përcaktuar forma konkrete e nismës, gjë që nënkupton hartimin e projektligjit, ose propozimin që këtë ta bëjë Kuvendi.
Përmes një përgjigjeje me shkrim, Ministria e Pushtetit Lokal shumë shkurt ka thënë për KTV-në se, pas kërkesës së Zyrës së Kryeministrit, ka shqyrtuar vetëm anën ligjore.