Qytetarët të hatëruar me Macronin pas deklarimeve për mundësinë e pezullimit të vizave

Prishtinë | 17 Tet 2023 | 16:00 | Nga Valmire Abdullahu Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Qytetarë të Kosovës janë shprehur të pakënaqur pasi presidenti francez, Emmanuel Macron, i citua sot të ketë thënë se vendi i tij ka marrë vendim për pezullimin e liberalizmit të vizave, raporton Ekonomia Online.

Riza Syla pohoi se me kosovarët po luhet si macja me miun.

“Me neve janë duke luajtur se si macja me miun qashtu janë tu bo hajgare me neve. Franca, Serbinë e ka pru në qetë gjendje”.

Ilmi Durmishi mendon se shteti francez është aleat historik i Serbisë.

“Mendoj se është pjesa e çështjeve politike, pjesa e Serbisë, pjesa e Ballkanit. Unë mendoj që Franca gjithmonë ka qenë kundër shqiptarëve”.

Përderisa Renato Qerimi, tha se e gjithë Evropa e ka pranuar liberalizimin e vizave dhe se kundërshtimi i Francës nuk ka asnjë arsyetim.

“Nuk na dojnë. Krejt Evropa e ka pranuar pse ajo me refuzu. Franca nuk na do, shkurt e shqip”.

Edhe një qytetare konsideron se Franca po dëshiron t’i bëjë presion Kosovës, në vend se të dënohet Serbia për agresionin e fundit në veri të Kosovës.

“Gjithmonë Franca ka qenë mike e Serbisë. Qëllimi i tyre është me barazu edhe me kapërcye Serbinë pa masa sanksione. Franca ka qenë mike e Jugosllavisë”.

Një deklaratë e presidentit Macron e përkthyer jo krejtësisht qartë derisa ai po mbante një konferencë me kryeministrin Edi Rama, shkaktoi shumë reagime sot.

Fillimisht u mendua që Franca ia pezulloi Kosovës liberalizimin e vizave – e që rrjedhimisht – qytetarët nuk do të mund të lëviznin vetëm me pasaportë nga një janari.

Por më pas u publikua deklarata e plotë dhe e përkthyer saktë e presidentit Macron:

“Dua ta them një gjë me shumë qartësi. Ne kemi bërë një gjest besimi për çështjen e vizave. Sa i përket Francës, ato [vizat] janë hequr sepse ne respektojmë fjalën e dhënë. E sot, fjala nuk po mbahet. Pres një angazhim real nga këto dy autoritete [Kosova dhe Serbia] që të ecin përpara në javët e ardhshme. Ky është vetë kushti për paqe në gjithë rajonin”.

Megjithëse nuk pati pezullim të liberalizimit të vizave, Macron përmendi vizat, dhe la të kuptohet që Kosova nuk po e mban fjalën e saj për çështjen në të cilën BE-ja i besoi.

Nuk kaloi shumë, në mesin e dhjetëra reagimeve nëpër rrjete sociale, reagimin më të komentuar e bëri kryediplomatja kosovare, Donika Gërvalla.

“Et Voila”, shkroi ajo në Twitter, duke ia bashkëngjitur postimit edhe një flamur të shtetit francez. Ky term që përkthehet “Dhe kjo është”, mund të nënkuptohet si “Ju kam thënë”.

Në prill të këtij viti, vendimi për liberalizimin e vizave për Kosovën u miratua edhe formalisht nga BE-ja dhe u botua në gazetën zyrtare të Bashkimit Evropian po të njëjtin muaj. Nga 1 janar i viti 2024 qytetarët e Kosovës pritet të udhëtojnë pa viza në 27 vende të BE-së, të cilat e përbëjnë të ashtuquajturën zonë Shengen.

Për ta pezulluar këtë vendim duhet të merret një vendim tjetër nga Këshilli i BE-së. Kjo mund të bëhet me kërkesë ose nga Komisioni Evropian ose nga ndonjë shtet anëtarë. Pastaj, vendet anëtare të Këshillit mund të votojnë për pezullimin e mundshëm.

Deri më tash vetëm një herë kishte ndodhur që një shtet anëtar i BE-së të kërkojë pezullimin e liberalizimit të vizave për një vend të rajonit.

Më 2019, Holanda kishte kërkuar që të pezullohej liberalizimi i vizave për shtetasit e Republikës së Shqipërisë. Si arsyetim e kishte përmendur rrezikun që shtetasit e Shqipërisë të përfshirë në krim të organizuar në Holandë paraqesin për sigurinë kombëtare të këtij vendi. Por, Komisioni Evropian e kishte hedhur poshtë këtë kërkesë.

Të ngjashme