Qeveria në Serbi ka vazhduar me propagandën të cilën e përdorën edhe në Këshillin e Sigurimit në Kombet e Bashkuara duke e paraqitur të plagosurin serb gjatë aksionit në Veri, si i plagosur nga Policia e Kosovës, paçka se asnjëherë nuk është vërtetuar se ai u plagos nga ndonjë polic.
Madje, gjasat janë të mëdha që Sreçko Sofronijeviç, 36 vjeçar, nga fshati Rudar i Komunës së Zveçanit, u plagos nga të shtëna të banorëve serbë, të cilat u drejtuan kundër policisë.
Pas aksionit, siç kishte publikuar policia fotot, shiheshin autoblinda të goditura në disa vende nga fishekët e automatikëve.
Megjithatë, qeveria serbe dhe mediat në Serbi e kanë bërë fakt të kryer se ai u plagos nga policia dhe ka tashmë disa ditë që bëhet propagandë me të.
Ai po qëndron në një spital në Beograd dhe të mërkurën u vizitua edhe nga drejtori i të ashtuquajturës Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviç.
Petkoviç, në prani të kamerave, e ka falënderuar Sofronijeviç-in “për guximin dhe këmbënguljen e tij”.
“Ju jeni heroi ynë dhe shpresoj që plaga juaj të jetë e fundit që do të forcojë popullin tonë. Ky plagosje është një turp i madh për bashkësinë ndërkombëtare, e cila mbështeti veprimin e Kurtit për dërgimin e njësive speciale në veri”, ka thënë Petkoviç.
Ai ka vazhduar deklarimin e tij propagandistik duke thënë se “plumbi që ka marrë Sofronijeviç ka qenë i dedikuar për mbarë popullin serb në veri të Kosovës”.
Edhe ditën kur ishte plagosur Sofronijeviç, mediat serbe menjëherë kishin shpërthyer me raportime se ai u plagos nga njësitet speciale të Kosovës, por pa dhënë kurrfarë faktesh se si kanë ardhur deri te ky përfundim.
As vetë i plagosuri nuk është se ka dhënë një tregim ku shpaloset plagosja e tij nga ndonjë polic.
Por, prejse ka ndodhur aksioni në veri, kundër kontrabandimit të mallrave serbe, Serbia e ka krijuar këtë narracion i cili përsëritet në vazhdimësi.
Edhe vizita e Petkoviç në spital, vinte vetëm një ditë para se ai të udhëtonte për në Bruksel, që të takohet me palën e Kosovës, për t’u diskutuar një zgjidhje përfundimtare mes dy vendeve për targat.