Ka mure me fasadë të ndritshme dhe kopshte plot gjethe, por shkolla fillore “Savo Kladnik” zor se do të ishte në listën e udhëtimeve të ndonjë turisti që duhet vizituar patjetër.
Ose kështu së paku ishte deri në nëntorin e vitit 2016, kur një prej ish-nxënëseve të kësaj shkolle, Melania Trump – do të bëhej zonja e parë e re e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, shkruan sot “Koha Ditore”.
Tani “Savo Kladnik”, që mori emrin e një aktivisti të njohur politik në kohën e Luftës së Dytë Botërore, është një prej pikave kryesore të ndaljes në qytetin slloven Sevnica, ku zonja Trump kishte kaluar vitet e formësimit të saj rinor.
Përderisa krejt pjesa tjetër e Sllovenisë është munduar që ta kapitalizojë disi ish-qytetaren e vet më të famshme, Sevnica dhe rajoni përreth Posavjes po përfitojnë prej avantazhit që të shndërrohen në destinacion të preferuar turizmi.
Gruaja e presidentit amerikan, Melanija Knavs është lindur në Novo Mesto, por është rritur në Sevnicë, tani qytezë industriale me një popullsi prej rreth pesë mijë banorësh.
Janez Levstik, punëtor i pensionuar fabrike, tani u prin turneve “Melania Trump” nëpër qytet. Ai e mban mend zonjën e parë amerikane si fëmijë. E përshkruan si vajzë “të këndshme”, që ishte “e mirë në shkollë”.