Raci e quan fitore të përbashkët betejën kundër ndërtimit të fabrikës së çimentos: Na përkrahen edhe komunat përreth

Klinë | 29 Gus 2023 | 11:35 | Nga Hana Lohaj Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Pas më shumë se tri vjetësh, qytetarët e Klinës kane fituar në betejën e tyre për drejtësi, kundër ndërtimit te fabrikës së çimentos në Dollc, raporton Ekonomia Online.

Udhëheqësi i banorëve kundërshtues në ndërtimin e fabrikës se çimentos, Veton Raci, e ka quajtur fitore të përbashkët me qytetarët e Klinës, teksa përmendi edhe protestat që kanë mbajtur.

Ai tha se përkrahje kanë marrë edhe nga komunat përreth Klinës.

“Ne kemi takuar edhe kryetarët e komunave përreth. Kemi marrë përkrahje nga kryetarët e Komunës së Pejës, Malishevës dhe Istogut, si komuna afër Klinës që shqetësoheshin se mund të ndoteshin komunat e tyre me rastin e ndërtimit të kësaj fabrike. Pas këtij aktvendimi të Gjykatës Themelore në Prishtinë ne nuk do të ndalemi me kaq, ne do të drejtohemi me dy kërkesa fillimisht; njëra për nivelin qendror kurse tjetra për nivelin lokal”, tha ndër të tjerash Raci.

Raci tregoi se pas afro tre vitesh që prej inicimit të padisë, Gjykata Themelore në Prishtinë ka marrë aktvendim gjyqësor me të cilin ka hedhur poshhtë padinë e Ministrisë së Pushtetit Lokal kundër Komunës së Klinës.

“Pas me afro 3 vitesh prej kur është iniciuar padi në Gjykatën Themelore në Prishtinë, tani kemi një aktvendim Gjyqësor i cili ka marr plotfuqishmërinë. Gjykata Themelore në Prishtinë ka nxjerr aktvendim më të cilin hedh poshtë padinë e Ministrisë së Pushtetit Lokal, kundër Komunës së Klinës”, u shpreh Rraci.

Raci përmendi edhe dy protestat e tjera të organizuara nga shoqata të cilën e përfaqëson e ku pjesë morën shumë qytetarë banorë të Klinës.

“Nga fillimi qytetaret e organizuar për kundërshtimin e fabrikës se çimentos në Kline kishin diktuar shumë parregullsi në procesin e pajisjes me dokumentacion për operatorin ekonomik. Bazuar në këto shkelje të proceduarve ishte kundërshtuar ashpër fillimi i punimeve për ndërtim te kësaj fabrike. Nisur nga shkeljet e mësipërme si dhe një seri shkeljesh të tjera gjatë procedurës së pajisjes me dokumentacion, si dhe bazuar në mos marrjen parasysh të kundërshtimeve të banoreve, ne banoret kundërshtues kemi organizuar disa aktivitete dhe dy protesta gjithë popullore, njëra në 14.05.2022 dhe tjetra më 25.07.2023, në kundërshtim të ndërtimit të fabrikës së çimentos”, u shpreh Raci

Rraci tha se pas vendimit do kërkojnë nga MIPHI-ja pezullimin e Kompanisë Wallingford International Kosovo L.L.C si dhe nga pushteti lokal i Klinës shkarkimin e Lorenc Marlekajt si dhe atë të Enver Berishës, të cilët sipas Rracit në cilësinë e Drejtorit të Urbanizmit kanë dhënë lejet ndërtimore për ndërtimin e kësaj fabrike.

“Nga Ministria Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës do të kërkojmë qe vendimin  me nr. 2804/22 për pezullim të Pëlqimit Mjedisor për Kompaninë Wallingford International Kosovo L.L.C. ta shndërrohet nga pezullimi në vendim për anulim të Pëlqimit Mjedisor, sepse në arsyetimin e vendimit për pezullim nga MMPHI thuhet: Deri në marrjen e vendimit të Gjykatës, përmbajtja e të cilit mund të kontestojë çdo pëlqim tjetër të dhëne, këtu përfshirë ato të MMPHI. Kurse nga pushteti lokal, respektivisht nga Kryetari do të kërkojmë shkarkimin e z. Lorenc Marlekaj dhe Enver Berisha, të cilët në cilësinë e Drejtorit të Urbanizmit kane nxjerr vendim për kushte ndërtimore dhe leje ndërtimore, shkarkimi i tyre duhet të ndodh për ti lenë pa pushtet ne duar dhe qe ti hapet rruge që organet ndjekëse të zhvillojnë procedurën e hetimit te nxjerrës se këtyre vendimeve”, tha Rraci, përcjell EO.

Rraci për fund tha se mos të ishte reagimi qytetar, fabrika do të ndërtohej.

“Çka nëse qytetaret nuk do te reagonin dhe fabrika sot të ishte e ndërtuar, kush do të merrte përsipër dëmtimin ambientit në kodrën e Dollcit dhe Greminkut, a do të duhej që Komuna ta kompensonte koston e ndërtimit të kësaj fabrike? Këto janë vetëm disa prej pyetjeve që çdonjëri prej nesh kërkon përgjigje nga Kryetari Elezaj. Kjo është një fitore e jona e përbashkët, shembull se si duhet reaguar ndaj fenomeneve negative”, u shpreh Rraci.

Të ngjashme