Radojiçiqi pranon se e organizoi sulmin terrorist në Banjskë

Prishtinë | 29 Sht 2023 | 14:11 | Nga Ekonomia Online

Millan Radoiçiq e ka marrë përgjegjësinë për sulmet ndaj Policisë së Kosovës në fshatin Banjskë të Zveçanit më 24 shtator, ku është vrarë një zyrtar policor, dhe ka thënë se i ka bërë të gjitha përgatitjet logjistike për ngjarjet e asaj dite.

Ai e ka bërë këtë deklaratë të premten përmes një letre të lexuar nga avokati i tij Goran Petronijeviq për publikun, nga Beogradi.

Si pasojë e përleshjeve të Policisë me një grup të armatosur në këtë pjesë në veri të Kosovës – të banuar me shumicë serbe – kanë mbetur të vrarë edhe tre sulmues.

“Po i njoftoj të gjithë persekutorët vigjilentë të popullit serb, prej Kurtit e te ndihmësit e tij të shumtë të huaj, se unë personalisht i kam bërë të gjitha përgatitjet logjistike për mbrojtjen e popullit tonë kundër pushtuesit dhe ky akt i imi nuk ka asnjë karakter apo qëllim tjetër, dhe nuk ka të bëjë fare me të kaluarën time”, ka thënë ai, duke iu referuar kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti.

Avokati, duke e lexuar letrën e Radoiçiqit, ka thënë se për veprimet e tij, Radoiçiq nuk e ka njoftuar askënd prej strukturave qeveritare serbe apo atyre politike lokale në veri të Kosovës, dhe as nuk e ka pranuar “ndonjë ndihmë” prej tyre.

Radoiçiq ka thënë se me ta ka pasur qëndrime të ndryshme në lidhje me “metodat e mëparshme të rezistencës ndaj terrorit të Kurtit”, dhe se atyre u është kërkuar “të tërhiqen pa arritur ndonjë rezultat të dukshëm”.

“Sepse na u tha se në këtë mënyrë do të kontribuojmë në ulje të shtensionimit, dhe se bashkësia ndërkombëtare dhe KFOR-i do të bëjnë gjithçka për të mbrojtur popullin tonë. Pala tjetër nuk e ka perceptuar qetësimin tonë të situatës si vullnet të mirë dhe krijimin e kushteve për negociatat, por si dobësi”, është thënë mes tjerash në letër.

Radoiçiqi i ka akuzuar autoritetet në Prishtinë, të udhëhequra nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, për “pushtim të paligjshëm të veriut të Kosovës”.

“Arsyeja e kthimit tonë ishte inkurajimi i serbëve, popullit të asaj zone, për t’i rezistuar terrorit të regjimit të Kurtit, duke mbrojtur njerëzit tanë, që çdo ditë i ekspozohen atij terrori”, ka thënë ai.

Ai ka vlerësuar se sulmuesit nuk janë “terroristë”, por “luftëtarë për lirinë e popullit të tyre”.

Në letër, Radoiçiq ka theksuar se vrasja e policit të Kosovës ka qenë “aksidentale”, pas së cilës ka nisur “një përleshje e ashpër nga të dyja palët”.

Ai e ka njoftuar opinionin se po jep dorëheqje nga pozita e tij në Listën Serbe, duke theksuar se përfshirja e tij politike në Listën Serbe “nuk kishte të bënte me kthimin e tij në Kosovë”.

Ai ka thënë, mes tjerash, në letër se do t’i përgjigjet ftesës së autoriteteve të Republikës së Serbisë.

I pyetur se nga kanë ardhur të gjitha armët dhe pajisjet e përdorura në aksionin e 24 shtatorit, avokati ka thënë se nuk mund të flasë se çfarë do të kishte thënë Radoiçiq, nëse do të kishte bisedime për këtë gjë me autoritetet kompetente të Serbisë.

Petronijeviq e ka mohuar se Radoiçiq është plagosur në Banjskë apo që është trajtuar në spitalin ushtarak në Beograd.

Avokati ka thënë se nuk e ka parë videon e publikuar nga Policia e Kosovës, e cila pretendohet se tregon Radoiçiqin të armatosur, andaj “nuk mund të gjykojë për këtë”.

I pyetur nga gazetarët se kush e ka qëlluar zyrtarin policor të Kosovës dhe pse janë vendosur barrikadat, avokati ka thënë se “nuk ishte aty” dhe se “nuk mund t’i thotë ato detaje”.

Ai ka pretenduar se zyrtari policor është vrarë ”nga një shpërthim, jo nga plumbi”.

Në pyetjen e gazetarëve se ku ndodhet Millan Radoiçiq, pse nuk i është drejtuar vetë publikut dhe prej kujt fshihet, avokati ka pyetur: “Kush ka thënë që fshihet?”

“Ndoshta e di, ndoshta nuk e di”, ka thënë ai, duke mos dhënë më shumë hollësi nëse e di vendndodhjen e tij.

Kjo është hera e parë që Radoiçiqi reagon publikisht, pas sulmeve të 24 shtatorit.

Të ngjashme