Me ftesën e Kryetarit të Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna dhe zyren e OEK në Emirate të Bashkuara Arabe e cila përfaqësohet nga Fitim Pajaziti, këtë të hënë pati vizitë në Kosovë Thomas Pramotedham dhe ekipin e tij nga Presight.AI – G42.
Presight.AI – G42 është njëra ndër kompanitë më të mëdha në Emiratet e Bashkuara Arabe në Intelegjencën Artificiale “Smart City”, po ashtu edhe në sigurinë kibernetike me vlerë të tregut 50B USD, pronari i të cilës është Sheikh Tahnoun bin Zayed Al Nahyan.
“Gjatë takimit dhe bisedës me kryetarin Rafuna, CEO i Presight.AI shprehi interesin që të hapë një zyre përfaqësuese në Kosovë e cila do ta mbulojë të gjithë territorin e Ballkanit, po ashtu u shpalosën edhe shumë projekte të cilat do të jenë investim i drejtpërdrejtë nga Presight.AI – G42”. thuhet në njoftimin zyrtar.
Rafuna u shpreh i kënaqur me vizitën nga Presight.AI, po ashtu theksoi që Kosova ka nevojë për kompani të këtij niveli siç është Presight.AI, pasi që kjo është edhe kompania e parë nga Emiratet e Bashkuara Arabe e cila do të jetë në Kosovë me investim të drejtpërdrejtë.