Për klubin e basketbollit Rahoveci, fitorja ndaj Z Mobile Prishtina shihet edhe si një lloj trofeu në vete.
Pas fitores së shënuar të dielën në “Mizahir Isma” në Rahovec, “vreshtarët” synojnë trofeun e vërtetë, atë që ndahet për titullin kampion, shkruan Koha Ditore.
Rahoveci mposhti Prishtinën (87:84) dhe barazoi serinë finale të plejofit të Superligës në 1:1. Për Prishtinën ishte humbja e parë këtë sezon, në kupë dhe kampionat.
Ndeshja e radhës finale luhet të martën (sot, 20:30) në Prishtinë dhe Rahoveci ka rastin për një tjetër befasi, sikur edhe Prishtina “për të kthyer normalitetin” në ekip.
Skuadra që shënon tri fitore shpallet kampione.
Trajneri i Rahovecit, Bujar Loci, ka thënë se ekipi i tij është i gatshëm dhe nuk do të dorëzohet deri në fund. Ai ka shtuar se fitorja ndaj Prishtinës është dëshmi se Rahoveci është rritur shumë si ekip. Për Rahovecin, ky është edicioni i tretë në Superligë dhe po luan në finale. Krahas finales së plejofit, Rahoveci luajti edhe në finalen e Kupës së Kosovës, ku u mposht nga Prishtina.