Salla e Sportit në komunën e Rahovecit shumë shpejt do ta merr formën e plotë dhe do të jetë e gatshme për t’u zhvilluar aktivitetet sportive. Investimi në këtë sallë sportive kap shifrën prej mbi 2 milionë euro.
Kjo u bë e ditur gjatë vizitës në këtë sallë sporti të ministrit të Financave Avdullah Hoti, ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sporteve Kujtim Shala dhe kryetarit të Komunës së Rahovecit Idriz Vehapi.
Kryetari i Rahovecit Idriz Vehapi, ka thënë se ndërtimit të kësaj salle më së shumti do t’i gëzohen sportistët e Rahovecit.
“Jemi këtu për të parë punët të cilat janë kryer dhe ato të cilat kanë mbetur. Është një ditë e gëzueshme për sportistët e Rahovecit, sepse kjo sallë shumë shpejtë do ta merr formën e plotë, ky është edhe premtim dhe zotim i Qeverisë së Kosovës”.
“Besoj që shumë shpejtë ndeshjet sportive të basketbollit, hendbollit dhe ekipeve tjera që do t’i kem në Komunën e Rahovecit të gjitha do të zhvillohen këtu në këtë sallë”, ka thënë Vehapi.
Ministri i Financave Avdullah Hoti, theksoi se me kryetarin Vehapi biseduan edhe për projekte tjera që i mbështet qeveria qendrore në komunën e Rahovecit.
“Nesër do të promovojmë një rrugë tjetër të rëndësishme regjionale në komunën e Rahovecit. Diskutuam për harmonizimin e planeve që i ka komuna për të kryer shumë projekte kapitale që janë nëpër ministri të ndryshme. Janë afro 2 milionë euro nga qeveria qendrore që investohen në komunën e Rahovecit”, ka thënë Hoti.
“Kemi diskutuar edhe për planet për vitet e ardhshme pasi edhe komuna edhe qeveria qendrore janë në proces të përgatitjes së buxhetit për vitin 2017 edhe për tri vitet e ardhshme”, ka shtuar ai.
Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sporteve Kujtim Shala, theksoi se janë në fazën e fundit të investimit në këtë sallë sportive.
“Po zhvillojmë procedura që të tenderojmë dhe të zgjedhim operatorin, i cili do të operojë dhe do të kryejë fazën e fundit të punimeve. Në total investimi i Qeverisë në këtë objekt do të jetë rreth 2 milionë e 700 mijë euro që është investimi më i madh që po bëhet në Kosovë. Do të vazhdojmë me investime në komunën e Rahovecit”, ka thënë Shala.