Komiteti për Politik dhe Financa (KPF), në Komunën e Rahovecit i ka vazhduar dëgjimet publike me qytetarë, për përgatitjen e buxhetit për vitin 2018 dhe Kornizës afatmesme 2018/2020, me qytetarët e fshatrave Kramovik, Guri i Kuq dhe Mrasor.
Kryesuesi i KPF-së Nahit Elshani u ka thënë qytetarëve të pranishëm se janë aty për t’i dëgjuar kërkesat e tyre dhe më pas këto kërkesa të hyjnë në buxhetin e vitit 2018.
“Ju njoftoj se mbi 70 për qind e kërkesave të cilat kanë ardhur nga qytetarët vitin e kaluar, kanë hy në buxhetin e vitit 2017, bazuar në këtë ju inkurajoj që të paraqitni kërkesat tuja edhe në mënyrë të shkruar”, ka thënë Elshani, njofton Komuna e Rahovecit.
Lulzim Sylejmani, drejtor i Drejtorisë për Buxhet dhe Financa u shpreh se me ligj janë të obliguar që çdo vit të mbajnë takime me qytetarë para se të përgatitet buxheti për vitin paraprak.
“Buxheti për vitin 2018 i Komunës së Rahovecit do të jetë 13 milion 444, 770 euro, ndërsa ajo që më së shumti ju intereson juve qytetarë është investimet kapitale dhe për vitin 2018, investimet kapitale do të jenë 4 milion 396,403 euro”, ka thënë Sylejmani.
Kërkesat e qytetarëve ishin: zgjerimi i sistemit të ujitjes, rregullimi i kanalizimit dhe ndriçimi publik.