Smajl Latifi mbajti takimin e dytë publik me qytetarë

Prishtinë | 22 Dhj 2021 | 17:12 | Nga Ekonomia Online

Bazuar në Ligjin për Vetëqeverisje Lokale Nr.03/L-040 dhe Statutin e Komunës së Rahovecit Nr.1005 i datës 29.03.2017, Kryetari i Komunës Smajl Latifi ka mbajtur sot takimin e dytë publik me qytetarë për vitin 2021. Të pranishëm në takim ishin kryetar të fshatrave dhe lagjeve të qytetit të Rahovecit.

Kryetari Latifi ka thënë se bazuar në Planin e Punës së Kryetarit të Komunës dhe Qeverisë Komunale 2021, kemi kënaqësinë të paraqesim para jush përmes videprojektorit , raportin vjetor për punët, angazhimet dhe arritjet e Komunës së Rahovecit për periudhën: janar-dhjetor 2021.

“Raporti pasqyron të gjitha aktivitetet dhe angazhimet e drejtorive komunale në Komunën e Rahovecit si dhe njësive të cilat veprojnë në kuadër të Zyrës së Kryetarit të Komunës së Rahovecit, njëkohësisht reflekton angazhimin dhe rezultatet e shënuara në këtë periudhë. Ky raport gjithëpërfshirës ka për qëllim të nënvizojë, progresin e arritur në realizimin e prioriteteve të Komunës dhe ka si pikë reference Programin e Qeverisë Komunale. Jemi angazhuar fuqishëm që të arrijmë nivel më të lartë të transparencës komunale dhe në vazhdimësi jemi përkujdesur që praktikat më të avancuara demokratike, të aplikohen gjatë vendimmarrjes në Qeverinë Komunale. Raporti vjetor i punës është mjet i komunikimit i të arriturave të pushtetit lokal, përkushtimit, angazhimit dhe vendosmërisë së treguar, në përmbushjen e detyrave dhe obligimeve me qëllim të rritjes së mirëqenies së qytetarëve të Komunës së Rahovecit”, ka thënë kryetari Latifi.

Të pranishmit në takim, kanë lavdëruar punën e Kryetarit Latifi, duke u shprehur të kënaqur dhe mirënjohës për projekte të cilat janë realizuar në të mirën e qytetarëve. Qytetaret të pranishëm në takim kanë parashtruar pyetje dhe kërkesa të cilat kishin të bënin kryesisht me rregullimin e kanalizimeve dhe infrastrukturë rrugore. Pyetjeve dhe kërkesave të qytetarëve ju është përgjigjën, kryetari i komunës, Smajl Latifi.

Për mbajtjen e këtij takimi, do të mbahet procesverbal dhe i njëjti do të publikohet në këtë vegëz: https://kk.rks-gov.net/…/procesverbale-konsultimet…/ .

Të ngjashme