Klubi i basketbollit, Rahoveci, ka njoftuar se zyrtarisht ka aplikuar për të marrë pjesë në Ligën e Kampionëve sezonin e ardhshëm.
Rahoveci ka njoftuar se për dhjetë ditë pritet të vendoset nga organizatorët nëse Rahovecit do t’i lejohet përfshirja në garat kualifikuese.
Pjesëmarrja në “Champions” i takon kampionit të Superligës, Prishtinës, por Rahoveci thotë që synon të marrë pjesë përmes aplikimit për t’u përfshirë në gara.
Nëse kjo dështon, Rahoveci do të vazhdojë në FIBA Europe Cup, ku i garantohet pjesëmarrja si nënkampion.
“Bordi e ka vizion të qartë që klubin ta shndërrojë në një skuadër evropiane, ndërsa nuk do të heqë dorë nga kjo rrugë. Njëkohësisht po punohet në gjitha drejtimet si tek partnerët, basketbollistët në mënyrë që siç e kemi thënë të garantohet për një edicion edhe më të mirë se ai që e kemi lënë pas. Rahoveci ka treguar dhe do të tregojë atë që di të bëjë më së miri, mikpritjen, basketbollin dhe spektaklin”, thuhet në njoftim.