Infektologu Lul Raka ka thënë se duke pasur parasysh situatën epidemiologjike dhe lehtësimin e masave të marra nga Qeveria e Kosovës, shkollat duhet të hapen.
Ai në një lidhje direkte në emisionin SOT të KTV-së ka thënë se rreziku i infektimit të fëmijëve është më i ulët, për çka sipas tij, hapja e shkollave do të ishte e mundur.
Raka duke ju referuar udhëheqësve të shkollave që deklaruan se dezinfektimi kushton shumë, deklaroi se rreziku për marrje të virusit në banka është i vogël.
Ai tha se edhe ne mësim duhet të mbahet distanca fizike.
“Duhet të ketë distance dhe kur të hapen shkollat mund të shihen modalitetet. Kemi shtete që po mbajnë mësim jashtë, në livadhe “ka deklaruar Raka.
Duke folur për situatën në përgjithësi me COVID-19, ai ka thënë se Kosova e ka menaxhuar si duhet.
Me gjithë uljen e numrit të rasteve, Raka ka thënë se kujdesi i qytetarëve duhet të vazhdojë.
Sipas tij, rrezik për shpërndarje të koronavirusit ka në vendet ku ka grumbullim të madh të njerëzve.
“Patjetër që duhet qytetarët duhet të kujdesen. Elementi kryesor pse numri i rasteve është ulur ka qenë edhe efekti qytetarë. Kujdesi duhet të vazhdojë, distanca sociale duhet të vazhdojë, aty ku nuk ka mundësi të mbahet atëherë le të përdoren maskat. Rreziku ekziston në vende ku ka grumbullim të madh të njerëzve, prandaj duhet të mbahen maskat”, ka thënë ai.
Duke folur për valën e dytë të infektimeve me koronavirus, ai ka thënë se secili shtet duhet t’i bëjë përgatitjet e duhura.
“Që të vije vala e dytë e koronavirust duhet të kalohet e para, për t’u kaluar e para duhet të kalohen 28 ditë prej rastit të fundit. Shumica e ekspertëve planifikojnë të ketë valë të dytë. Secili shtet t’i bëjë përgatitjet e duhura që t’i menaxhojë rastet e reja”, ka thënë ai.
Raka tutje ka folur edhe për mundësinë e shkuarjes në pushime. Ai ka thënë se edhe Mali i Zi edhe Shqipëria do të hapin kufijtë porse nuk do të lejohet fluks i madh i qytetarëve.
“Mali i Zi ka qenë ndër vendet me menaxhimin më të mirë. Shqipëria ka planifikuar të hap kufirin, do të ketë pushime por distanca sociale do të jetë edhe nëpër plazhe. Edhe autoritetet e Shqipërisë dhe Malit të Zi nuk mendoj se do të lejojnë që të shkohet me flukse të mëdha njerëzve”, ka thënë ai.
Ndërkaq për ardhjen e diasporës, ai thotë se kjo varet nga situata epidemiologjike në vendet ku ata jetojnë.
“Për diasporën që planifikojnë me ardh varet prej situatës epidemiologjike në vendet e tyre dhe rrugët që planifikojnë me ardh. Momentin që i hapin kufijtë në shtetet që ata jetojnë atëherë nuk ka pse të mos vijnë, por rreziku është më i ulët dhe nuk duhet t’iu ndalohet”, ka thënë ai.