Mediet serbe vazhdojnë të merren me ngjarjet e të hënës së kaluar në Mitrovicë kur nga njësitë speciale të Policisë së Kosovës u arrestua Marko Gjuriq. Duke komentuar rreth këtyre zhvillimeve, gazeta “Politika”, zbulon se kërkesën për dërgimin e ushtrisë serbe në Kosovë e kishte bërë prefekti i Mitrovicës veriore Goran Rakiq.
Siç shkruan kjo gazetë, Rakiq e kishte ftuar kryetarin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq ta dërgonte ushtrinë në Kosovë. “Ne do të vetorganizohemi, por na ndihmoni, presim përkrahjen dhe mbrojtjen tuaj”, citon “Politika” të kishte thënë Rakiq.
Beogradi nuk e kishte dërguar ushtrinë, por po në atë mbrëmje e kishte mbajtur mbledhjen e Këshillit të Sigurisë ndërsa Vuçiq duke iu drejtuar kombit, arrestimin e Gjuriqit e kishte quajtur “banditizëm të pastër” të përkrahur nga disa vende.
Tri ditë pas ngjarjeve në Mitrovicë, Ushtria e Serbisë ka mbajtur stërvitjet “Sadejstvo 2018”. Stërvitjet në botë dhe në Kosovë u cilësuan demonstrim i fuqisë ushtarake të Beogradit.