Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama u shpreh këtë të martë se nga programi i rindërtimit janë punësuar 27 mijë qytetarëve. Gjatë konferencës së përjavshme mbi ekonominë, Rama tha se procesi i rindërtimit po garanton dita ditës strehim të ri dhe cilësor për familjet e goditura nga tërmeti.
“Sot në këtë forum të hapur të javës mbi ekonominë fokusin do ta kemi tek procesi i rindërtimit si një proces që do të duhet të garantojë siç po garanton dita ditës strehim të ri dhe cilësor për familjet e goditura nga fatkeqësia e madhe e tërmetit, punësim masiv siç po garanton për 27 mijë persona që janë përfshirë në programin e rindërtimit dhe që falë kantiereve të hapura të rindërtimit në gjithë perimetrin e zonave të prekura çojnë rrogat në shtëpitë e tyre si dhe një impakt të konsiderueshëm në ekonomi të cenuar nga kjo kohë e mallkuar pandemie”, u shpreh Rama.
Kreu i qeverisë shtoi se programi i rindërtimit po ndikon ndjeshëm në ekonomi.
“Si të gjitha të këqijat që nuk vijnë vetëm për keq tragjedia e 26 Nëntorit ka hapur një hapësirë të re për mundësi të reja dhe programi i rindërtimit ka ndikuar dhe po ndikon ndjeshëm në ekonominë tonë”, theksoi kryeministri.(tvklan.al)