Rama apelon ndërtuesit: Riparoni dëmet ose do të shkoni në burg

Prishtinë | 02 Dhj 2019 | 08:29 | Nga Ekonomia Online

Kryeministri Edi Rama mblodhi edhe mëngjesin e sotëm qeverinë e tij në një mbledhje të jashtëzakonshme që i parapriu takimit të Këshillit të Sigurisë Kombëtare të thirrur nga presidenti Ilir Meta.

Nga kjo mbledhje, Rama lëshoi një paralajmërim serioz për të gjithë ndërtuesit e pallateve e të cilat janë dëmtuar gjatë tërmeteve që lëkundën Shqipërinë më 26 nëntor.

Ai ka kërkuar nga ndërtuesit që të marrin përsipër riparimin dhe dëmet materiale që u janë shkaktuar njerëzve.

Rama tha se janë duke punuar dhe së shpejti do të konkludojnë kuadrin e ri ligjor dhe penal për abuzimet në ndërtim.

“Dua të bëj një apel për të gjithë ata që kanë ndërtuar godina kolektive dhe sot hyjnë te godinat e dëmtuara por jo të rrezikshme që të paraqiten vetë urgjentisht në zyrën përkatëse të drejtuesit të plotfuqishëm për emergjencën apo zyrën e shtabit të emergjencës në Durrës dhe të bëjnë deklaratën e gatishmërisë për t’i paguar një më një vetë godinat, të gjitha riparimet nga ato sipërfaqësore deri te dëmet materiale që i janë shkaktuar njerëzve”, tha Rama.

Kryeministri shqiptar shtoi se kush i shmange këtij detyrimi do të përballet me drejtësinë.

“E bëj këtë apel sepse shumë shpejt do të jetë vonë për ta. Kush do t’i shmanget këtij detyrimi do të jetë i akuzuar drejtpërdrejtë përpara organeve të drejtësisë, do ta çojmë ne në akuzë dhe do të kërkojmë burgim për papërgjegjshmëri. Bëhet fjalë për dëmtime që nuk kërcënojnë qëndrueshmërinë e godinës, por që vënë në pamundësi banueshmërinë e saj dhe që kanë të bëjnë me abuzime të ardhura pas, gjatë ekzekutimit të lejes së ndërtimit”, theksoi Rama.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme